Ndërkohë organi i akuzës ka regjistruar procedimin penal për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me përmbytje”, “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” dhe “Shpërdorimi i detyrës”...
Prokuroria e Durrësit, në kuadër të hetimeve që po kryen për përmbytjet e fundit në këtë qytet, ka sekuestruar një seri dokumentesh dhe dosjesh nga Bashkia lidhur me procedurat dhe tenderat që kanë të bëjnë me fushën e infrastrukturës.
Më konkretisht, prokurorja Suela Beluli, ka urdhëruar sekuestrimin pranë Bashkisë Durrës të të gjithë dokumentacionit, që lidhet me procedurat e prokurimit, zbatimit dhe marrjes në dorëzim të punimeve për rehabilitimin e argjinaturës, ngritjen e bankinës dhe sistemimin e lumit Erzen, si edhe dokumentacionin tekniko-ligjor të lejes së ndërtimit për këtë objekt.
Sipas vendimit, sekuestrimi i dokumenteve do të kryhet nga oficeri i policisë gjyqësore, ndërsa një kopje e vendimit i është vënë në dispozicion Bashkisë Durrës.
Ndërkohë organi i akuzës ka regjistruar procedimin penal për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me përmbytje”, “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Hetimet nisën pas situatës së krijuar nga përmbytjet, urdhrit për evakuimin e banorëve dhe denoncimeve publike në rrjete sociale dhe media, lidhur me ndërhyrjet për rehabilitimin e argjinaturës së lumit Erzen.
Më 8 janar, Prokuroria e Durrësit njoftonte se regjistrimi i këtij procedimi penal erdhi pas situatës së krijuar përgjatë dy ditëve ku për shkak të rreshjeve të vazhdueshme u krijuan problematika reale, të dukshme për personat fizikë, për mirëqënien e tyre por edhe dëme të konsiderueshme.
“Gjendja e krijuar e cila ka penguar zhvillimin normal të aktiviteteve arsimore, shtetërore, shëndetësore, ka krijuar bllokimin e rrugëve urbane dhe interurbane, përmbytjen e banesave dhe vendosjen në rrezik real të jetës së qytetarëve, përmbytjen e institucionit penitenciar duke vendosur në gjendje emergjente të gjithë qarkun në të cilin ushtron juridiksionin territorial dhe lëndor Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, jep të dhëna të mjaftueshme dhe të arsyeshme se jemi përpara një fakti penal.
Gjithashtu, nga të dhënat e deritanishme rezulton se si pasojë e kësaj situate dyshohet se ka ardhur për pasojë dhe vdekja e shtetasit A.H., i cili rezulton të jetë punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh. Nga të dhënat paraprake ka dyshime që ai ka humbur jetën për shkak se është marrë nga rrjedhja e ujit e shkaktuar në vend.
Në këto kushte, me qëllim thellimin në shkaqet që kanë çuar në shaktimin e këtyre pasojave dhe analizimin në mënyrë ezauruese nëse shkaqet kanë qenë tërësisht natyrore apo kanë ardhur si pasojë e pakujdesisë apo mospërmbushjes së detyrës nga ana e organeve kompetente shtetërore apo të vetëqeverisjes vendore, merret iniciativa për regjistrimin e këtij procedimi penal. Ndërkohë, hetimi i mëtejshëm do të japë përfundime të drejta mbi ekzistencën ose jo të përgjegjësisë penale.”, njoftonte Prokuroria.
Rehabilitimi i argjinaturës së lumit Erzen nisi në shtator të 2021 me synim parandalimin e përmbytjeve.
Në atë kohë, kryebashkiakja Emiriana Sako, deklaronte se “kemi filluar punën për rehabilitimin e agjinaturës së lumit Erzen në mënyrë që të shmangim përmbytjet në këtë zone”.
“Puna do të vijojë derisa të rehabilitohet argjinatura e këtij lumi në të gjitha zonat problematike për të parandaluar përmbytjet”, njoftonte Sako. /Pamfleti/
Hallet dhe fatkeqësitë e qytetarëve keta mafioz hajdut i shohin si shanse per te rizgjedhur. Zgjohu o popull, zgjohu!