
Lexues të “Pamfleti”, ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerave veçojmë:
Protestat për resortin e Bashkim Ulajt
Banorët e Velipojës në dyert e SPAK
Banorët e fshatit Rrjoll, në njësinë administrative Velipojë të Shkodrës, janë paraqitur në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), pas tre ditësh protesta kundër ndërtimit të një resorti luksoz në pronësi të oligarkut Bashkim Ulaj.
Banorët kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të punimeve, duke pretenduar se investimi po kryhet mbi tokat e tyre të trashëguara. Ndërkohë, me pankarta në duar, banorët e zonës kërkojnë drejtësi. "Duam drejtësi", është një ndër thirrjet kryesore të tyre para dyerve të SPAK.
Sipas banorëve, kjo është hera e dytë që ata i drejtohen SPAK-ut. Më 25 mars të vitit të kaluar, ata kanë depozituar një kallëzim penal ndaj firmës ndërtuese dhe disa personave, të cilët dyshohet se kanë falsifikuar dokumente pronësie në zonën Baks-Rrjoll.
Protesta në Velipojë ka vijuar për disa ditë me rradhë. Gjatë këtyre ditëve nuk kanë munguar përplasjet me forcat e rendit, të cilat i kanë larguar banorët nga rruga ku kanë nisur punimet për ndërtimin e resortit turistik.
Sipas projektit, kompleksi do të shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 146 hektarësh, duke u konsideruar një nga investimet më të mëdha turistike në vend.
Rënie masive gurësh
Aksi Kukës-Bushtricë ka probleme në qarkullim
Gjatë orëve të natës, i gjithë qarku i Kukësit u përfshi nga reshje shiu me intensitet mesatar, të shoqëruara herë pas here me erë. Moti i paqëndrueshëm krijoi vështirësi në disa akse rrugore, kryesisht në zonat me terren malor.
Reshjet vijuan deri në orët e para të mëngjesit të së enjtes dhe u ndërprenë gradualisht. Si pasojë, në disa segmente u shënuan rënie gurësh dhe inertesh nga shpatet, duke penguar përkohësisht qarkullimin e mjeteve.
Problematika më e theksuar u evidentua në aksin rrugor Kukës–Bushtricë, ku në orët e para të ditës u regjistruan rënie gurësh dhe masash dherash. Situata vështirësoi lëvizjen e automjeteve deri në ndërhyrjen e strukturave përgjegjëse.
Pas sinjalizimeve, subjektet kontraktore të mirëmbajtjes rrugore ndërhynë menjëherë me mjete dhe forca pune, duke pastruar segmentet e bllokuara. Aktualisht, aksi kombëtar Kukës–Peshkopi është i qarkullueshëm normalisht, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar.
A do të kalojë çështja për gjykim?
GJKKO mban sot seancën paraprake për Metën
Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po mbahet seanca paraprake ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Në këtë seancë, trupa gjykuese do të vendosë nëse çështja do të kalojë ose jo për gjykim.
Seanca vjen pas zhvillimeve të seancës së kaluar, e cila zgjati rreth tetë orë dhe u shoqërua me përplasje verbale mes Ilir Metës dhe prokurorit të SPAK, Sotir Kllapi. Gjatë asaj seance, prokurori arriti të lexonte vetëm 90 faqe nga kërkesa për kalimin e çështjes në gjykim, ndërsa mbeten ende rreth 100 faqe të tjera për t’u paraqitur.
Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet më 28 korrik 2025, në kuadër të dosjes që lidhet me aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe hetimin pasuror. Sipas SPAK, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Udhëtimi luksoz i Ramës në Izrael
Avioni privat i sekuestruar nga ish-miliarderi i kriptovalutave
Në Shqipëri, dikur një vend i izoluar dhe ende i varfër ku vetëm një grup i vogël njerëzish udhëtonte jashtë vendit për dekada simbolika e përdorimit të një aeroplani privat është më e fortë, në mënyrë të veçantë kur këto udhëtime bëhen nga zyrtarë publikë si kryeministri Edi Rama, shpesh larg syve kureshtarë të publikut.
Udhëtimi i fundit i liderit jetëgjatë shqiptar në vizitën shtetërore tre-ditore në Izrael me rastin e pjesëmarrjes së tij në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, u realizua nëpërmjet avionit ‘Bombardier Global 5000’, dikur në pronësi të Sam Bankman Fried, një sipërmarrës amerikan i dënuar për mashtrim dhe pastrim parash.
Kjo nuk është hera e parë që Rama përdor një avion privat për udhëtimet e tij zyrtare. Për vite me radhë, ai shfrytëzoi një Airbus A319-100 të konfigurimit VIP nga kompania e flamurit ‘Air Albania’, i pagëzuar me emrin ‘Ismail’, në nder të themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Bej Vlora.
Përfaqësues të mazhorancës argumentojnë se përdorimi i një “avioni qeveritar” për udhëtime zyrtare nga kryeministri lidhet me “dinjitetin” e shtetit shqiptar dhe përfaqësimin e tij në arenën ndërkombëtare.
Kritikët e Ramës nga radhët e opozitës mendojnë të kundërtën, ndërsa theksojnë se dinjiteti që gëzon një zyrtar publik qoftë brenda apo jashtë vendit nuk lidhet me luksin e mjeteve të transportit të përdorura prej tij.
Për më shumë klikoni në edicionin e lajmeve të orës 12.00
Çfarë humb opozita,kur kryeministri udhëton me mjet privat?