Në procesin me dyer të mbyllura, Prokuroria kërkon kalimin e çështjes në gjykim themeli për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar parashtrimet në gjyqin paraprak ndaj ish-Presidentit Ilir Meta dhe katër të pandehurve të tjerë, në një proces që po zhvillohet me dyer të mbyllura dhe ka zgjatur për disa orë.
Prokurori i çështjes, Sotir Kllapi, i kërkoi gjykatës paraprake që dosja penale të kalojë për gjykim themeli, duke vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për vijimin e procesit ndaj pesë të akuzuarve, të cilët përballen me akuza të rënda për korrupsion dhe pastrim parash.
Sipas SPAK, hetimi është mbështetur në një volum të konsiderueshëm provash dokumentare, përfshirë letërporosi të ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të lidhura me çështjen e lobimit, si dhe analiza të detajuara të transaksioneve financiare dhe bilanceve ekonomike të personave nën hetim.
Prokuroria ka paraqitur në gjykatë të dhëna mbi lëvizje të dyshuara financiare, burime të ardhurash dhe pasuri që, sipas saj, nuk përputhen me deklarimet zyrtare, duke ngritur dyshime për pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Pas përfundimit të seancës, Monika Kryemadhi deklaroi se SPAK ka paraqitur 40 faqe, vetëm me listën e provave. Ndërsa vetë provat janë me mijëra faqe. “Në fund na u dorëzua lista e provave, rreth 40 e ca faqe, ku ka intervista, shkrime e gazeta. Për herë të parë, edhe në kohën e diktaturës këto nuk quheshin prova, por thirrej intervistuesi dhe merrej dëshmia në formën e provës”, tha Kryemadhi.
Hetimet ndaj Ilir Metës janë mbyllur nga SPAK në muajin gusht dhe dosja është dërguar në gjykatë për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Këto akuza lidhen me çështje të ndryshme, përfshirë aferën CEZ-DIA dhe lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë procedim penal janë marrë të pandehur edhe ish-bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi, nëna e saj Fatime Kryemadhi, si dhe Pirro Xhixho dhe Ema Çoku. Hetimi ka nisur në vitin 2019 dhe është zgjeruar në vitet pasuese mbi bazën e disa kallëzimeve penale, të cilat gjatë vitit 2024 janë bashkuar në një procedim të vetëm.
Sipas akuzës, Ilir Meta dyshohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në tre episode të ndryshme, dy prej tyre në bashkëpunim, si dhe për pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Monika Kryemadhi akuzohet për korrupsion pasiv në dy raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Pirro Xhixho përballet me akuzën e korrupsionit pasiv të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku akuzohen për pastrim parash.
SPAK pretendon se hetimet kanë zbuluar një skemë përfitimi financiar, ku Meta dhe Kryemadhi, duke shfrytëzuar pushtetin dhe influencën politike, kanë favorizuar biznese të caktuara në këmbim të përfitimeve monetare. Sipas Prokurorisë, episodet e dokumentuara tregojnë bashkëpunim të vazhdueshëm mes pesë të pandehurve në rastet e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Për ndërtimin e dosjes, SPAK ka bashkëpunuar me autoritete ligjzbatuese dhe financiare në disa shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austrinë, Italinë, San Marinon dhe Qipron.
Vendimi i gjykatës paraprake mbi kalimin ose jo të çështjes në gjykim themeli pritet në ditët në vijim, ndërsa procesi konsiderohet në një fazë vendimtare për ecurinë e hetimit penal.
Lini një Përgjigje