TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Shkurt 2026, 16:09

Tensione dhe debate në seancën e Metës, ish-presidenti përplaset me prokurorin për provat e aferave

Shkruar nga Pamfleti
Tensione dhe debate në seancën e Metës, ish-presidenti
Kujtim Cakrani

Tensione dhe debate kanë shoqëruar seancën e radhës gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ndaj ish-Presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, ku SPAK ka vijuar parashtrimet në fazën paraprake të procesit.

Para nisjes së seancës, Monika Kryemadhi reagoi me tone ironike ndaj akuzave të ngritura nga Prokuroria e Posaçme, duke deklaruar se SPAK ka marrë si prova për akuzën e pastrimit të parave edhe ndërhyrjet e saj plastike.

Pas përfundimit të seancës, avokati mbrojtës i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, dha një deklaratë të gjatë për mediat, ku zbardhi dinamikën e zhvillimeve brenda sallës së gjyqit dhe debatet me prokurorët e çështjes.

Pati debate me prokurorët përsa i përket relatimit dhe akuzave që ata kanë ngritur në kërkesën për gjyq. Duke qenë se ata janë të paqartë në akuzat e tyre, ne shpeshherë jemi ngritur dhe kemi debatuar me ta”, u shpreh Cakrani.

Sipas tij, debatet kanë pasur si qëllim sqarimin e elementeve bazë të akuzës, në mënyrë që edhe gjykata të kuptojë për çfarë bëhet fjalë.

Debati ka qenë për të saktësuar personat dhe vendet, që gjykata ta kuptojë për çfarë bëhet fjalë, sepse deri më sot, në parashtrimet që përfunduan sot, as gjykata nuk ka kuptuar gjë. Ne kemi ndenjur pas relatimit të prokurorit, kemi pyetur dhe kemi bërë disa sqarime, dhe kjo ka qenë arsyeja e gjithë debatit”, deklaroi avokati.

Cakrani theksoi se përplasjet nuk kanë qenë personale apo fyese, por lidhen drejtpërdrejt me përmbajtjen e akuzave.

Debati ka qenë konstruktiv, nuk është se jemi fyer me prokurorët. Por problemi qëndron kur prokurorët relatojnë dhe në fund thonë ‘ky është mendimi ynë’. Në atë moment, ne si avokatë jemi të detyruar të debatojmë”, tha ai.

Ai shtoi se prokurorët e çështjes ndodhen në vështirësi, pasi, sipas mbrojtjes, nuk ekzistojnë elementë të veprës penale.

Sot unë i kuptoj zotin Kllapi dhe zotin Kraja, janë në një vështirësi, sepse nuk ka akuzë ashtu siç ata pretendojnë, nuk ka vepra penale dhe padyshim që kjo në të ardhmen do të bjerë,” u shpreh Cakrani, duke shtuar se gjithsesi këtë do ta vlerësojë procesi në vijim.

Avokati konfirmoi se mbrojtja ende nuk ka paraqitur qëndrimin e saj të plotë dhe se në seancën e ardhshme do të parashtrohen pretendimet ligjore.

Sot kanë përfunduar prokurorët. Ka folur vetëm një avokat i një zonje. Seancën e ardhshme ne do të bëjmë prapësimet tona, pretendimet për papranueshmëri dhe pavlefshmëri sipas nenit 332 të Kodit të Procedurës Penale”, deklaroi ai, duke garantuar se publiku do të informohet për çdo hap të mbrojtjes.

Cakrani theksoi gjithashtu se Ilir Meta do të vijojë të jetë transparent me opinionin publik.

Ne kemi qenë të hapur dhe do të vazhdojmë të jemi të hapur, sepse zoti Meta duhet të jetë i hapur me publikun. Ai ka qenë gjithmonë transparent dhe do të vazhdojë ta sqarojë këtë çështje,” tha avokati.

I pyetur për çështjen e ankimimit në Gjykatën Kushtetuese, Cakrani shprehu kritika të forta për vonesat, duke e cilësuar caktimin e seancës për datën 8 prill si problematik.

Ne prisnim që ajo çështje të diskutohej brenda këtij muaji. Data 8 prill është shumë larg, afro nëntë muaj nga ankimi që kemi bërë”, u shpreh ai.

Kjo është një dizastër që nuk ka më asnjë lloj logjike. Ti bën sot kërkesën dhe pas nëntë muajsh të caktohet seanca, ndërkohë që çështja mund të ketë kaluar edhe në gjykim themeli. Kjo është Gjykata jonë Kushtetuese. Unë nuk kam më fjalë,” deklaroi Cakrani, duke shtuar se mbrojtja ka rezervat e saj, por do të përpiqet të ruajë objektivitetin në qëndrimet publike.

Seanca e radhës pritet të jetë vendimtare, pasi pala mbrojtëse do të paraqesë zyrtarisht kundërshtimet e saj ndaj akuzave dhe kërkesës së SPAK për kalimin e çështjes në gjykim themeli.

kujtim cakrani meta spak

Lini një Përgjigje