TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Shkurt 2026, 21:06

Bilanci i protestës së PD-së, 16 efektivë policie të dëmtuar (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Bilanci i protestës së PD-së, 16 efektivë policie të
Policët e dëmtuar

Autoritetet kanë bërë bilancin paraprak të protestës së sotme të Partisë Demokratike në Tiranë, e cila u shoqërua me tensione, dhunë dhe përplasje me forcat e rendit. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë incidenteve të shënuara para Kryeministrisë dhe më pas te Kuvendi, janë dëmtuar 16 punonjës të Policisë së Shtetit. Ndërkohë ka mbetur i dëmtuar edhe deputeti Bledion Nallbati, i cili ndodhet në spital.

Po ashtu, policia ka ndaluar 13 persona, të cilët dyshohet se janë përfshirë në aktet e dhunës, hedhjen e molotovëve dhe sulmet ndaj efektivëve dhe institucioneve shtetërore. Ndalimet janë kryer gjatë protestës dhe pas përfundimit të saj, përmes ndërhyrjeve të drejtpërdrejta në terren dhe operacioneve të mëvonshme.

"Gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar pasditen e sotme para godinës së Kryeministrisë dhe më pas te Kuvendi, një pjesë e protestuesve kanë ushtruar akte të rënda dhune ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit dhe institucioneve shtetërore. Policia e Shtetit, gjatë gjithë zhvillimit të tubimit iu ka bërë thirrje me megafon protestuesve të dhunshme që të distancoheshin nga dhuna, por sulmet ndaj punonjësve të policisë kanë vijuar deri në përfundim të tubimit me bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta.

Si pasojë e sulmeve drejt Policisë u dëmtuan 16 punonjës Policie, të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore, pasi kanë pësuar djegie dhe dëmtime fizike. Policia e Shtetit thekson se ka qenë e angazhuar gjatë gjithë tubimit për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për të siguruar ushtrimin e së drejtës kushtetuese të tubimit paqësor.

Strukturat ligjzbatuese po dokumentojnë të gjitha rastet e dhunës, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Policia e Shtetit mbetet e vendosur në përmbushjen e misionit të saj për garantimin e rendit, sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke falënderuar qytetarët që kanë bashkëpunuar dhe janë distancuar nga aktet e dhunshme, si dhe gazetarët dhe punonjësit e medias për transparencën që kanë ofruar për publikun", shprehet policia.

pd proteste police

Lini një Përgjigje