
Momente të rënda janë regjistruar mbrëmjen e sotme para godinës së Kuvendit, ku gjatë protestës së opozitës një kameraman është përfshirë nga flakët, po ashtu edhe makina e tij.
Sipas pamjeve të publikuara, kameramani ndodhej pranë zonës së përplasjes mes protestuesve dhe forcave të policisë, në momentin kur në drejtim të kordonit policor u hodhën mjete piroteknike dhe lëndë djegëse. Në rrethana ende të paqarta, ai është prekur nga flakët, duke shkaktuar panik mes të pranishmëve.
Në pamje shihen persona përreth që ndërhyjnë menjëherë për ta ndihmuar, duke tentuar të shuajnë flakët dhe ta largojnë nga zona e rrezikut.
Ende nuk ka informacion zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të kameramanit apo shkallën e dëmtimeve që ai ka pësuar.
Ngjarja ndodhi në një situatë të tensionuar, ku protesta para Kuvendit u shoqërua me hedhje molotovësh, fishekzjarrësh dhe ndërhyrje të policisë me gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e turmës.
Lini një Përgjigje