
Moltov dhe gaz lotsjellës para Kuvendit...
Një situatë e tensionuar dhe kaotike është krijuar mbrëmjen e sotme në zonën përpara Kuvendit të Shqipërisë, ku protesta e opozitës u zhvendos pas përplasjeve të mëparshme para Kryeministrisë.
Pas tensioneve te godina qeveritare, protestuesit e Partisë Demokratike u drejtuan drejt Kuvendit. Fillimisht, situata para Parlamentit u paraqit relativisht e qetë, megjithëse kishte shtyrje të kordonit policor dhe një prani të shtuar të forcave të rendit, të pozicionuara për të mbrojtur godinën.
Megjithatë, pas disa minutash qetësie, situata u përshkallëzua. Molotovë janë hedhur papritur nga protestuesit, të cilët ranë mes efektivëve të policisë dhe turmës, duke shkaktuar flakë, tym dhe momente paniku. Sipas pamjeve nga vendngjarja, disa efektivë policie u kapën në befasi dhe u tërhoqën me vrap për t’i shpëtuar flakëve. Mësohet se disa efektivë kanë pësuar djegie dhe janë dërguar në spital. Po ashtu janë dëmtuar dhe disa qytetarë.
Si kundërpërgjigje, policia ka ndërhyrë duke përdorur autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit dhe për të rimarrë kontrollin e situatës. Për disa minuta, zona përpara Kuvendit u mbulua plotësisht nga tymi, si pasojë e molotovëve dhe përdorimit të gazit lotsjellës.
Momentalisht, situata mbetet e tensionuar, ndërsa forcat e policisë vijojnë të mbajnë të bllokuar perimetrin e sigurisë rreth Kuvendit.
Lini një Përgjigje