
Gjykata Kushtetuese kalon për shqyrtim në seancë plenare ankimimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, mbi masën e parë të sigurisë së kërkuar nga SPAK dhe dhënë nga ana e GJKKO, në Tetor të vitit të kaluar, “detyrim paraqitjeje”.
Çështja do kalojë në seancë plenare, për ta shqyrtuar mbi bazë dokumentesh.
Në procesin që do mbajë Kushtetuesja, mësohet se palë do të jetë edhe Kuvendi i Republikës.
Berisha pretendon se SPAK ka shkelur ligjin, pasi edhe për masën detyrim paraqitjeje që nuk e zbatoi, duhet t’i drejtohej Kuvendit për miratim, sipas Nenit 73, pasi hyn tek masat kufizuese të lirisë.
Më herët, Kushtetuesja për këtë çështje ka rrëzuar padinë e 30 deputetëve të opozitës.
“Shfuqizimin e vendimeve nr. 112, datë 20.10.2023 dhe nr. 117, datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 56 (87-2023-156), datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-384, datë 05.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë”, ishte kërkesa e Sali Berishës.
“Kolegji i Gjykatës Kushtetuese vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Më 30 Dhjetor ish-kryeministri u izolua në banesë, pasi GJKKO miratoi kërkesën e SPAK për shtrëngim mase në "arrest shtëpie", pasi kishte thyer masën e parë "detyrim paraqitjeje" dhe nuk kishte shkuar periodikisht në SPAK dhe GJKKO.
Në arrest shtëpie bashkë me të është edhe dhëndri, Jamarbër Malltezi, po për të njëjtën dosje penale dhe po kështu të dy të pandehur prej javës së kaluar.

Lini një Përgjigje