TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Janar 2025, 19:55

Berisha hyn në konflikt me homoseksualët, Xheni Karaj i nxjerr videon: Dikur mbështeste martesat gay, sot na sulmon

Shkruar nga Pamfleti

Berisha hyn në konflikt me homoseksualët, Xheni Karaj i nxjerr videon:

Pas deklaratave të kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili tha se do të dënohet kush flet për Prindin 1 dhe Prindin 2, ka reaguar komuniteti LGBTQ.

Berisha deklaroi sot se PD ka përgatitur një ligj “se Republika e Shqipërisë njeh vetëm ato që i ka bërë Zoti, mashkull dhe femër, pra dy gjini”.

Xheni Karaj, përfaqësuese e këtij komuniteti, në reagimin e saj tha se Berisha ishte i vetmi kryeministër në historinë e Shqipërisë që, në vitin 2010, ka projektuar, mbështetur dhe miratuar Ligjin Kundër Diskriminimit, një ligj që njeh identitetin gjinor (personat trasngjinorë) si një nocion të rëndësishëm ligjor.

Teka ka publikuar një video, Karaj akuzon Berishën se po imiton narrativën politike të presidentit të SHBA, Donald Trump me shpresën se do t’i hiqet “non grata”. Sipas saj, Berisha po përdor çdo mjet për t'u kapur me thonj pas një pushteti që e ka humbur dhe se po hap një luftë imagjinare kundër personave LGBTI+.

"Sali Berisha, po përpiqet të kopjojë Trump-in për të mbuluar dështimet e tij politike dhe për të kërkuar lëmoshë për heqjen e “non grata-s”.

E vërteta është, që në Shqipëri, aktualisht kuadri ligjor njeh vetëm dy gjini, të cilat përkojnë dhe barazohen me seksin biologjik të individit të lindur femër apo mashkull, konstatuar në lindje. Në vendin tonë nuk ekziston asnjë parashikim ligjor që lejon regjistrimin e gjinisë për personat transgjinorë dhe as për ata me gjini jo-binare, prandaj propozimi i sotëm i Berishës është asgjë më shumë se sa një propozim që juridikisht nuk qëndron.
Ky njeri, që përdor çdo mjet për t'u kapur me thonj pas një pushteti që e ka humbur dhe nuk do ta rimarrë dot kurrë, ka vendosur të dezinformojë dhe të hapë një luftë imagjinare kundër personave LGBTI+.
Por ja ironia e historisë: Sali Berisha është i vetmi kryeministër në historinë e Shqipërisë që, në vitin 2010, ka projektuar, mbështetur dhe miratuar Ligjin Kundër Diskriminimit, një ligj që njeh identitetin gjinor (personat trasngjinorë) si një nocion të rëndësishëm ligjor.

Dhe për këtë, emri i Sali Berishës do të mbetet gjithmonë si një asteriks në historinë politike të lëvizjes queer dhe trans në Shqipëri, jo si mbrojtës i të drejtave, por si një politikan që sot po përpiqet të fshijë atë që e firmosi vetë.

Një njeri i kontradiktave të mëdha shpesh absurde: një komunist dhe sekretar partie që u deklarua antikomunist i epur, një mbrojtës i demokracisë në fillim të viteve 90, dhe shkelësi më i madh i saj mes atyre viteve e në vazhdim, një burrë që erdhi për herë të dytë në pushtet duke premtuar luftë të pandashme ndaj korrupsionit, e që iku nga ai pushtet për shkak të korrupsionit galopant që lejoi - përfshirë familjarët e vet. Dhe së fundmi një politikan që njëherë voton ligjet më përparimtare të Shqipërisë karshi komunitetit LGBTI+ e pastaj i përdor po ato për tu bëre faktor në një skenë, ku nuk është më aktor protagonist", shkruan ajo në Facebook.

Lini një Përgjigje