
Pas publikimit të lajmit se Serbia kishte shpallur “non-grata” dy shtetas shqiptarë, pa dhënë ndonjë arsye konkrete, Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar menjëherë.
Mësohet se MEPJ ka thirrur ambasadorin e Serbisë në Tiranë, Slobodan Vukçevic ku i kanë kërkuar sqarime lidhur me këtë rast, teksa shtohet se kanë vënë nevojën që autoritetet serbe të rishikojnë dhe të marrin në konsideratë apelimin e vendimeve të marra.
“Sot, më 23 janar 2025, u thirr në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme Ambasadori i Republikës së Serbisë, z. Slobodan Vukçević. Gjatë takimit, iu transmetua keqardhja dhe shqetësimi serioz për ndalimin dhe largimin nga territori i Serbisë të dy shtetasve shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët po merrnin pjesë në një seminar në Beograd.
Këtë veprim nuk e konsiderojmë në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet tona për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore dhe me impakt negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve tanë. MEPJ kërkoi sqarime lidhur me këtë rast dhe theksoi nevojën që autoritetet serbe të rishikojnë dhe të marrin në konsideratë apelimin e vendimeve të marra. U kërkua gjithashtu që të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Ky rast është duke u ndjekur me vëmendje të plotë nga Ambasada Shqiptare në Beograd”, thuhet në reagimin për TCH.
Lini një Përgjigje