
Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, trakeotomisë, pasi përpjekjet e ekipit të specialistëve që e ndiqnin atë për ta shkëputur nga intubimi, ishin të pasuksesshme.
Anastas është shtruar prej 20 ditësh në spitalin Evangelismos të Athinës dhe ka qëndruar në intubim për më se 15 ditë, pas një ndërhyrje kirurgjikale për ndalimin e një hemorragjie të brendshme.
Por, sipas të njëjtave burime, përpjekjet e mjekëve për ta shkëputur nga aparati i intubimit kanë rezultuar të pasuksesshme, ndaj pas konsultimeve kanë konkluduar t’i bëjnë trakeotomi. Bëhet fjalë për një procedurë mjekësore, që cilësohet si më se e nevojshme nga mjekët për rastet e intubimeve që tejkalojnë periudhën ditore prej dy javësh, dhe për të minimizuar rreziqet që vijnë prej tij.
Peripecia shëndetësorë e hierarkut Anastas, ka filluar që prej 30 Dhjetorit të 2024 kur është shtruar në fillim në spitalin e Tiranës, me simptoma të infeksionit të rëndë. Ndërsa në 3 janar pasi gjendja e tij shëndetësorë u përkeqësua u transferua me një avion special në Athinë, në spitalin Evangelismos.
Më 10 janar dhe pas përkeqësimit të një hemorragjie gastrike, ai iu nënshtrua një operacioni dhe u intubua. Gjendja e tij ishte cilësuar kritike, por e qëndrueshme nga ekipi i mjekëve që e trajtojnë , të udhëhequr nga profesoresha e Mjekimit Intensiv, zonja Anastasia Kotanidou.
Lini një Përgjigje