Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka theksuar nevojën për intensifikimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjatë një takimi me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu.
Në fokus të diskutimit kanë qenë sfidat që vijojnë të përballin institucionet e drejtësisë, ku përveç efikasitetit dhe aksesit të qytetarëve, është nënvizuar qartë domosdoshmëria për rezultate më të forta në goditjen e korrupsionit.
“Sistemi i drejtësisë duhet të rrisë efikasitetin, të përmirësojë aksesin për qytetarët dhe të forcojë garancitë procedurale”, u shpreh Gonzato, duke shtuar se Bashkimi Evropian do të vijojë të mbështesë këto reforma, por me fokus të veçantë te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Mesazhi i BE-së vjen në një moment kur progresi në drejtësi mbetet kyç për integrimin evropian të Shqipërisë, ndërsa pritshmëritë për rezultate konkrete në luftën ndaj korrupsionit mbeten të larta.
Ambasadori Gonzato theksoi gjithashtu se Ministria e Drejtësisë ka një rol vendimtar për të garantuar që reformat të mos mbeten vetëm në letër, por të përkthehen në përmirësime reale për qytetarët dhe funksionimin e institucioneve.
Bashkimi Evropian pritet të vijojë mbështetjen përmes projekteve dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me institucionet shqiptare, ndërsa theksi mbetet te forcimi i shtetit të së drejtës dhe lufta efektive kundër korrupsionit.
"Sot zhvilluam një takim të mirë me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, mbi sfidat kryesore me të cilat përballet sistemi i drejtësisë në Shqipëri. Në qendër të diskutimit ishte nevoja për të mbështetur sistemin e drejtësisë për të rritur efikasitetin, për të përmirësuar aksesin e qytetarëve shqiptarë në drejtësi dhe për të forcuar garancitë procedurale. Diskutuam gjithashtu se si Bashkimi Evropian mund ta mbështesë sistemin gjyqësor në arritjen e këtyre objektivave, duke forcuar njëkohësisht luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ministria e Drejtësisë luan një rol qendror për të siguruar që reformat të përkthehen në përmirësime konkrete për qytetarët dhe institucionet e drejtësisë. Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim këto përpjekje përmes projekteve të dedikuara dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet e drejtësisë”, tha ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
Lini një Përgjigje