
Publikohen pamjet kur shefi i qarkullimit rrugor, Roven Zeka është paraqitur në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për tu vetëdorëzuar pas urdhër arrestit nga SPAK.
Në pamje, shihet teksa Zeka futet në polici pasi është informuar nga mediat për urdhër arrestin.
Ndaj 3 oficerëve të policisë së qarkullimit rrugor në Tiranë SPAK ka firmosur tre masa arresti, pasi akuzohen për korrupsion. Shefi i komisariatit rrugor Roven Zeka, shefi i hetimit të aksidenteve automobilistike Sokol Novaku dhe oficeri i policisë rrugore Edison Tabaku dyshohen për korrupsion.
Në përgjime rezulton se oficeri i këqyrjes së vendngjarjes ka përmendur dy eprorët e tij në policinë rrugore, për të ndryshuar rezultatet e një aksidenti automobilistik. Çështja u hetua nga prokurorët e posaçëm që u vunë në lëvizje mbas një aksidenti rrugor në kryeqytet një ngjarje për të cilën ka dyshime se paratë i ka paguar një shtetase ndaj oficerit të policisë gjyqësore.
Mbetet ende e paqartë se sa është shuma e kërkuar dhe nëse ka pasur pasojë në jetë prej këtij aksidenti. Por ajo që shpjegohet është fakti se vendngjarjen e ka këqyrur oficeri Edison Tabaku, ndërkohë që më pas ka komunikuar me shefin e linjës për aksidentet Sokol Novaku po ashtu me urdhër ndalimi.
Për shkak se përmendet nga dy oficerët, urdhri i ndalimit është firmosur edhe ndaj Zekës, emëruar në këtë detyrë në mesin e dhjetorit 2024. Veç Zekës qe është vetëdorëzuar, BKH ka arrestuar dy të tjerët, ndërkohë që veprimet vazhdojnë të kryhen nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit./TCH
Lini një Përgjigje