
Një kthesë të fortë dhe të bujshme ka marrë çështja e 67-vjeçarit të arrestuar pak ditë më parë nën dyshimin për një ngjarje tepër të rëndë ndaj një të miture 10-vjeçare, pasi Gjykata e Apelit ka rrëzuar qëndrimin e Prokurorisë së Gjirokastrës dhe ka vendosur lirimin e tij nga paraburgimi. Më herët, ndaj të moshuarit ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” nga Prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër, por zhvillimet e fundit në Apel kanë përmbysur në themel gjithë versionin e paraqitur nga organi i akuzës.
Sipas mbrojtjes, avokatët e 67-vjeçarit kanë paraqitur para Gjykatës së Apelit jo thjesht pretendime, por një paketë provash që, sipas tyre, kanë qenë vendimtare dhe të pakundërshtueshme për rrëzimin e dyshimeve të ngritura nga prokuroria. Në qendër të mbrojtjes kanë qenë dy akte ekspertimi, si edhe këqyrja e pamjeve filmike të objektit, nga ku ka rezultuar se minorenia që përmendet në kallëzim nuk ka qenë asnjëherë në banesën e të akuzuarit, jo vetëm në datën kur pretendohej ngjarja, por as gjatë një periudhe njëmujore përpara kallëzimit.
Sipas të njëjtit pretendim të mbrojtjes, pamjet filmike nuk janë parë vetëm në mënyrë të pjesshme apo të kufizuar, por është bërë këqyrje nga ekspertë kriminalistikë të licencuar për një muaj të plotë, ndërsa për verifikim është administruar edhe serveri i pamjeve filmike, çka sipas avokatëve i jep kësaj prove një peshë të veçantë teknike dhe objektive.
Pikërisht ky verifikim, i mbështetur në ekspertim dhe në analizën e plotë të materialit filmik, ka nxjerrë në pah se versioni i paraqitur në kallëzim nuk përputhet me realitetin e fiksuar në sistemin e kamerave. Avokatët mbrojtës kanë pretenduar se jemi përballë një kallëzimi të rremë, ndërsa para Gjykatës së Apelit kanë argumentuar se pamjet filmike dhe akti i ekspertimit rrëzojnë drejtpërdrejt bazën faktike mbi të cilën u ngrit akuza dhe u vendos masa e rëndë e sigurisë personale. Sipas tyre, kur një provë teknike dhe shkencore demonstron se personi i mitur nuk ka hyrë fare në banesën e të akuzuarit, atëherë bie vetë themeli mbi të cilin është ndërtuar masa e arrestit dhe gjithë dyshimi penal i ngritur ndaj 67-vjeçarit.
Por mbrojtja nuk është ndalur vetëm te prova që, sipas saj, shfajëson të arrestuarin. Avokatët kanë hedhur akuza të rënda edhe ndaj Komisariatit të Këlcyrës, duke pretenduar se nga ana e strukturave policore ka pasur montazh provash, fshehje aktesh dhe mungesë të qëllimshme të veprimeve për administrimin e materialeve që mund të zbardhnin të vërtetën. Sipas tyre, familjarët e 67-vjeçarit kishin kërkuar sekuestrimin e pamjeve filmike, por megjithatë këto veprime nuk janë kryer nga organet përkatëse, ndonëse bëhej fjalë për një provë thelbësore për fatin e procedimit.
Në këtë mënyrë, çështja nuk mbetet më vetëm te përplasja mes akuzës dhe mbrojtjes për një masë sigurie, por shkon më tej, duke ngritur dyshime serioze mbi mënyrën se si është ndërtuar dhe administruar i gjithë procedimi penal. Kur një person mbahet në paraburgim, ndërkohë që sipas mbrojtjes ekziston një provë filmike e qartë, e shoqëruar edhe me akt ekspertimi teknik, pyetjet që lindin janë: pse nuk u administruan asnjëherë nga policia këto prova? Kush pengoi sekuestrimin e tyre? Nëse kemi të bëjmë me një hetim të nxituar apo me një deformim të rëndë të së vërtetës?
Vendimi për lirimin e 67-vjeçarit është dhënë ditën e sotme nga gjyqtarja Miranda Andoni. Lirimi i tij nga paraburgimi përbën një zhvillim me peshë të madhe në këtë çështje, ndërsa vëmendja tashmë pritet të përqendrohet te verifikimi i pretendimeve për mënyrën e administrimit të provave, për mossekuestrimin e materialeve filmike dhe për përgjegjësitë eventuale të institucioneve që ndoqën rastin.
Nëse provohet plotësisht se pamjet filmike, të këqyrura për një muaj të plotë dhe të verifikuara përmes serverit të objektit, tregojnë se minorenia nuk ka qenë asnjëherë në banesën e të akuzuarit, atëherë kemi të bëjmë me një zhvillim që jo vetëm rrëzon një akuzë tepër të rëndë, por edhe ekspozon një skandal të mundshëm hetimor me pasoja të rënda për besimin te drejtësia dhe te organet e hetimit./Jugulajm.net
Lini një Përgjigje