Një anije e NATO-s, me flamur italian, ka qëndruar për tre ditë në qytetin e Vlorës në kuadër të një misioni inspektimi të gazsjellësit TAP.
Burime bëjnë me dije se gjatë kësaj periudhe janë kryer verifikime dhe monitorime teknike përgjatë segmentit detar të gazsjellësit, pjesë e rëndësishme e infrastrukturës energjetike në rajon.
Mësohet se ditën e sotme misioni ka përfunduar, ndërsa anija pritet të largohet nga porti i Vlorës në orët në vijim, shkruan A2 CNN.

Ndërkohë Enti Rregullator i Energjisë ka shtyrë për në 1 korrik 2026 afatin për gazsjellësin TAP që të përmbushë kushtin që i është vendosur si pjesë e licencimit në transmetimin e gazit dhe që ka të bëjë me titujt e pronësisë.
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt infrastrukturor strategjik që transporton gaz natyror nga fusha Shah Deniz II në Azerbajxhan për në Evropë. Ai shtrihet për rreth 870 km, duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Detit Adriatik deri në Itali. TAP është pjesë e Korridorit Jugor të Gazit dhe synon diversifikimin e burimeve energjetike të Evropës.
Lini një Përgjigje