SPAK jep detaje mbi materialet digjitale të sekuestruara, dominojnë celularët...
SPAK ka futur në panik mazhorancën dhe qeverinë. Përveç përgjimeve, prokurorët po përdorin një metodë tjetër shumë efektive në zbulimin e aferave, atë të sekuestrimit të telefonave.
Agjentët e BKH kanë bërë vizita blic në shumë ministri, drejtori e institucione dhe shumë drejtorëve e funksionarëve u janë sekuestruar celularët, kompjuterët apo pajisje të tjera digjitale.
Në raportin vjetor për vitin që lamë pas, të publikuar sot nga Dumani, jepen detaje mbi këtë metodë hetimi. Sipas SPAK, janë sekuestruar në total 407 telefonë celularë dhe aty janë gjetur mesazhe, foto e prova të tjera komprometuese.
“Gjatë vitit 2023, në Sektorin e Ekspertizës janë pranuar 345 vendime ekspertimi për ekzaminim provash digjitale me 623 prova në total dhe konkretisht 407 telefona celularë, 76 kompjutera, 19 DVR dhe 121 prova të tjera digjitale (hard disqe, USB, video-regjistrues, tableta, karta memorie, CD/DVD, etj.). Gjatë vitit 2023 nga ekspertët e këtij sektori janë realizuar 261 akte ekspertimi, ku janë ekzaminuar 453 prova digjitale në total dhe konkretisht 321 telefona celularë, 37 kompjutera, 20 DVR dhe 75 prova të tjera digjitale (si hard disqe, USB, regjistrues, tableta, karta memorie, CD/DVD, etj.) Për vitin 2023 janë realizuar 5 akte ekspertimi më shumë se viti 2022 si dhe 226 akte më shumë se viti 2021”, thekson raporti.
Sipas SPAK, për vitin 2023 janë ekzaminuar 29 prova digjitale më shumë se viti 2022 si dhe 398 prova digjitale më shumë se viti 2021.
“Ndryshe nga vitet 2021-2022, ekspertët e këtij sektori janë angazhuar edhe në disa vendngjarje për sekuestrim provash dhe të dhënash kompjuterike, si dhe në vendngjarje dhe ekzaminime në ndihmë të prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm. Gjithashtu për vitin 2023 kemi një rritje të numrit të vendimeve të dërguara për ekspertim krahasuar me vitin 2022 dhe 2021, ku për vitin 2023 janë dërguar për ekspertim në këtë sektor 105 vendime ekspertimi dhe 117 prova digjitale më shumë se viti 2022, si dhe 227 vendime ekspertimi dhe 350 prova digjitale më shumë se viti 2021”, thuhet në raport.
Disa emra të njohur që u arrestuan javët e fundit, përfshirë dhe drejtorët e Bashkisë së Tiranës, ranë brenda për shkak të celularëve. SPAK aty gjeti shumë prova që i komprometonin. Por duket se ka dhe shumë të tjerë që kanë futur duart në korrupsion dhe dalin te materialet e sekuestruara. /Pamfleti
Lini një Përgjigje