TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Maj 2025, 18:47

Akuza e re e SPAK, avokatët e Veliajt kundër prokurorit: Erioni dhe bashkëshortja nuk kanë lidhje me apartamentin e sekuestruar

Shkruar nga Pamfleti

Akuza e re e SPAK, avokatët e Veliajt kundër prokurorit: Erioni dhe

Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme dhe njoftimit të SPAK për një akuzë të re ndaj kryebashkiakut të të Tiranës, Erion Veliaj, ka ardhur edhe reagimi i përfaqësuesve të tij ligjorë. SPAK e akuzon Veliajn për fshehje pasurie dhe ka sekuestruar dy prona.

Në një deklaratë publike, avokatët sqarojnë se as Veliaj dhe as bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, nuk janë pronarë të pasurisë së sekuestruar dhe nuk kanë asnjë lidhje ligjore apo financiare me kompaninë “A.K.” shpk, të cilës i përket prona në fjalë.

“Pasuria e paluajtshme në pronësi të znj. Xoxa është apartamenti ku ata banojnë, në zonën e Selitës, i blerë para martesës dhe që nuk ka qenë objekt i ndonjë hetimi apo sekuestrimi nga autoritetet”, thuhet në reagim.

Avokatët theksojnë se Veliaj dhe bashkëshortja e tij i kanë deklaruar të gjitha pasuritë sipas ligjit dhe kanë qenë bashkëpunues me institucionet përkatëse. Ata kërkojnë që çdo hetim të mbështetet në prova konkrete dhe të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë.

Në fund, ata kërkojnë mirëkuptimin e banorëve të pallatit ku ndodhet prona e sekuestruar, duke sqaruar se çifti Veliaj-Xoxa nuk ka lidhje me atë pasuri dhe se shqetësimi i tyre vjen vetëm nga afërsia fizike e banesave.

Reagimi i avokatëve:

Në vijim të raportimeve mediatike dhe interesit të shtuar publik lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal nr. 27 të vitit 2024, sqarojmë si më poshtë:

As Erion Veliaj dhe as Znj. Ajola Xoxa nuk janë pronarë të kesaj pasurie të sekuestruar dhe nuk kanë asnjë lidhje pasurore apo ligjore me subjektin tregtar “A.K.” shpk, e as me pasurinë që është objekt i masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”.

Pasuria e paluajtshme në pronësi të Z. Xoxa është apartamenti ku ata banojnë, në zonën e Selitës, krijuar para marteses dhe ky apartament nuk është dhe nuk ka qenë në asnjë moment objekt hetimi apo sekuestrimi nga ndonjë autoritet ligjzbatues.

Theksojmë se është në të drejtën ligjore të organit të akuzës të kryejë hetime, por dyshimet e ngritura duhet të bazohen në fakte konkrete dhe prova të verifikueshme, në respekt të parimit të prezumimit të pafajësisë dhe të drejtave themelore të individit.

Z. Veliaj dhe Znj. Xoxa kanë deklaruar pasuritë e tyre, si para dhe pas martesës, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe kanë qenë gjithmonë bashkëpunues me institucionet përgjegjëse.
Çdo përpjekje për të deformuar realitetin dhe për të lidhur emrin e tyre me çështje që nuk kanë asnjë bazë ligjore përbën keqinformim të opinionit publik dhe sulm ndaj figurës publike të Z. Veliaj, për cka do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e reputacionit dhe zbardhjen deri në fund të së vërtetës.

Ju kerkojme ndjese per cdo shqetesim te krijuar komshinjve te ciftit Veliaj Xoxa dhe i vetmi “faj” i tyre eshte se banojne ne te njejtin pallat me keto te fundit.

Lini një Përgjigje