
Një grua 54-vjeçare ka humbur jetën në një spital privat në Durrës një ditë pas një ndërhyrjeje për ngushtim stomaku. Ngjarja ka ngjallur reagime dhe pikëpyetje, ndërsa familjarët kërkojnë zbardhje të plotë të rrethanave. Operacioni u krye më 20 maj dhe sipas stafit mjekësor, gjithçka kishte shkuar mirë deri në orët e para të mëngjesit të ditës tjetër, kur pacientja pësoi një arrest kardiak fatal.
Mjeku që kreu ndërhyrjen, Ilir Shani, ka dalë me një reagim të gjatë, ku përpiqet të sqarojë pozicionin e tij dhe të spitalit. Ai thekson se operacioni ka përfunduar pa komplikacione dhe gjendja e pacientes ka qenë stabile, me parametra jetësorë të monitoruar vazhdimisht. Sipas tij, pacientja ishte në gjendje të mirë, komunikonte dhe lëvizte normalisht.
“Fatkeqësisht, në të gdhirë të datës 21, pacientja pësoi një arrest kardiak të menjëhershëm, pasojë e një infarkti akut masiv… përpjekjet për ta rikthyer në jetë nuk patën sukses”, shkruan Shani, duke shtuar se nuk ka pasur asnjë paralajmërim klinik që të tregonte për një situatë të tillë.
Në deklaratën e tij, Shani distancohet nga çdo përgjegjësi për ndonjë pakujdesi apo gabim profesional, duke insistuar se gjithçka është bërë sipas protokolleve. Ai premton bashkëpunim të plotë me organet hetimore për të zbardhur çdo aspekt të ngjarjes.
“E kuptojmë dhe ndjejmë dhimbjen e familjes dhe jemi të gatshëm të ofrojmë bashkëpunimin e plotë me organet përkatëse, të cilat do të hedhin dritë mbi çdo aspekt të kësaj ngjarjeje”, përmbyll ai reagimin.
Reagimi i mjekut:
Në vijim të ngjarjes së rëndë që ndodhi para dy ditësh në ambientet e spitalit tonë, ndjej për detyrë morale dhe profesionale të paraqes një sqarim mbi pozicionin tonë si institucion shëndetësor dhe timin personalisht si mjek përgjegjës.
Së pari, në emër të stafit mjekësor dhe në emrin tim personal, i shpreh ngushëllimet familjarisht më të sinqerta familjes së të ndjerës V.XH. Kjo humbje është thellësisht e dhimbshme për të gjithë ne, pasi e ndjera ishte jo vetëm paciente, por edhe një e njohur e afërt e jona për të cilën ushqenim respekt të veçantë. Ndajmë dhimbjen dhe qëndrojmë pranë familjarëve në këtë moment të vështirë.
Si mjek përgjegjës, ndjej detyrimin të sqaroj rrethanat e kësaj ngjarjeje të trishtë, duke u udhëhequr nga parimi i transparencës ndaj familjarëve dhe qytetarëve.
Pacientja V.XH iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale të ngushtimit te stomakut më datë 20.05.2025. Operacioni përfundoi normalisht dhe pacientja u transferua në pavijon në gjendje të mire. Gjatë orëve në vijim, gjendja e saj u monitorua vazhdimisht dhe parametrat jetësorë rezultuan brenda normave.Pacientja ishte aktive , lëvizte , komunikonte , nuk kishte asnje shqetesim .
Fatkeqësisht, ne te gdhirë te dates 21 , pacientja pësoi një arrest kardiak të menjëhershëm, pasojë e një infarkti akut masiv, dhe ndërroi jetë brenda pak minutash. Megjithëse ndihma mjekësore u ofrua menjëherë , goditja rezultoi fatale dhe përpjekjet për ta rikthyer në jetë nuk patën sukses.
Në emër të vetes dhe të të gjithë stafit që ka qenë i përfshirë në trajtimin e pacientes, shpreh keqardhjen më të thellë për këtë humbje. E kuptojmë dhe ndjejmë dhimbjen e familjes dhe jemi të gatshëm të ofrojmë bashkëpunimin e plotë me organet përkatëse, të cilat do të hedhin dritë mbi çdo aspekt të kësaj ngjarjeje.
Me respekt dhe përulësi para dhimbjes së familjes,
Ilir Shani
Lini një Përgjigje