
Ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, i cili ndodhet në qeli për koncesionin e sterilizimit, do të dëshmojë ditën e nesërme në Komisionin Hetimor Parlamentar të Shëndetësisë.
Burime bëjnë me dije se Prokuroria e Posaçme i ka dhënë lejen që Rrepaj të lërë qelinë e paraburgimit dhe paraqitet fizikisht në komision për t’u marrë në pyetje për koncesionin e sterilizimit në Kuvend. Ai do të shoqërohet nga forcat e policisë.
Kjo është hera e parë që një i paraburgosur merret në pyetje nga deputetët. Po ashtu, do merren në pyetje edhe dy prej anëtarëve të komisionit që shpalli fituesin e koncesionit, Marsela Serjani dhe Petro Mersini. Të dy janë në masë detyrim paraqitjeje, por edhe për ta SPAK ka dhënë leje që të pyeten nga Komisioni.
Ndërkohë, më 3 tetor është parashikuar që të merret në pyetje edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ndërsa pritet të dëshmojë edhe biznesmeni Ilir Rrapaj.
Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është nën hetim nga SPAK prej një viti, si i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check-up. Deri tani, për koncesionin 100 milionë euro në burg janë lënë ish-zv.ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.
Lini një Përgjigje