Dosjet penale, sekuestrimet, arrestimet dhe pirateria mediatike nuk e ndalën dot aktivitetin kriminal të Mahmutit, ndërsa autoritetet qëndrojnë spektatore përballë skemave të tij mashtruese...
Adnand Gëzim Mahmuti, një emër i njohur tashmë në dosjet e organeve ligjzbatuese shqiptare, vijon të sfidojë hapur ligjin dhe shtetin. Pronari i platformës famëkeqe “TIBO”, i njohur edhe me epitetin "horri i platformës", ka një sërë procedimesh penale dhe kallëzime në prokurori, por vazhdon të jetë i lirë duke kryer aktivitete kriminale të përmasave të mëdha financiare.
Faktet janë tronditëse dhe flasin qartë: më 28 korrik 2023, Prokuroria e Tiranës urdhëroi sekuestrimin e kompanisë “TIBO”, pasi Mahmuti përmes një skeme mashtrimi përvetësoi 2.2 milionë Euro nga shtetasja Mirlinda Heidorn. Ai e gënjeu duke pretenduar se shuma do përdorej për vazhdimin e një kontrate me autoritetet italiane, por paratë përfunduan në llogaritë e kompanisë “Megaëare”, me garanci asetet e kompanive “Tibo Comunication” dhe “Tibo AL”.
Në vijim, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) më 11 dhjetor 2023 i hoqi licencën platformës “TIBO” dhe e gjobiti me 20 mijë Euro për pirateri dhe vjedhje të transmetimeve të kampionateve të njohura si Premier League, Bundesliga, Ligue 1 dhe Kupa e Italisë, të drejtat e të cilave zotërohen ligjërisht nga “Digitalb”.
E megjithatë, Mahmuti nuk u ndal. Më 13 janar 2024 ai u arrestua nga Policia e Tiranës, pasi vazhdonte aktivitetin e shitjes së dekoderave të kanaleve televizive pa licencë dhe me transmetime pirate, pavarësisht se kompania ishte tashmë nën sekuestro.
Aktualisht, sipas agjencive ndërkombëtare të anti-krimit dhe anti-mafias, Mahmuti vijon aktivitetin e tij kriminal me pastrim parash duke përdorur skema komplekse me transferta fiktive nëpërmjet 6 kompanive “fantazmë”. Aktivitetet e tij përfshijnë trafiqe, kontrata fajdesh, shitje fiktive aksionesh dhe pasurish, përmes kompanive të tij “TIBO”, “88 INTERNATIONAL”, “TIBO-AL”, “TIBO’N”, “TIBO MEDIA” dhe “Tibo Comunication”.
“Pamfleti” ka zbuluar dhe publikuar disa herë dokumente që tregojnë se Mahmuti ka përfituar miliona lekë fonde publike nëpërmjet Komitetit Olimpik Shqiptar dhe marrëveshjeve të dyshimta me Fidel Yllin. Shembull i qartë janë 952 mijë Euro të destinuara për transmetimin e aktiviteteve sportive në shkolla, të cilat nuk u realizuan kurrë, por paratë u përvetësuan.
Autoritetet shqiptare dhe SPAK kanë në dispozicion prova të shumta për aktivitetet e paligjshme të Adnand Mahmutit, përfshirë edhe përfshirjen e tij në sektorin e ndërtimeve dhe fondacioneve jo bankare, që përdoren për skema mashtrimi dhe zhvatjeje.
Një tjetër pistë hetimore është ajo e lidhjes së tij me shtetasin italian Paolo Rubin, 56-vjeçar nga Cavarzere-Venice, aktualisht banues në një nga kullat më luksoze të rrugës së Kavajës. Hetimet duhet të thellohen për të zbardhur plotësisht rrjetin kriminal që ka sfiduar deri tani hapur shtetin dhe ligjin shqiptar./Pamfleti
Lini një Përgjigje