
Juventus ka zhgënjyer sërish në Seria A, pasi ka pësuar një humbje të papritur në shtëpi me shifrat 0-1 ndaj Udinese.
Në pjesën e parë, tentativa e parë serioze e ndeshjes erdhi nga Chiesa. Sulmuesi italian provoi me një goditje nga distanca, por gjuajtja ishte qëndrore. Skuadra e Cioffit nuk qëndroi “duarkryq” dhe tregoi dëshirë që në minutat e para. Në të 22-tën, Udine zhbllokoi sfidën, me anë të Giannettit.
“Zonja e Vjetër” kërkoi të reagojë, shtoi ndjeshëm presionin dhe iu afrua golit të barazimit pas gjysmë ore lojë. Me rezultatin 0-1 përfundoi pjesa e parë, ndërsa fraksioni i dytë do ishte edhe më i luftuar.
Bardhezinjtë pretenduan penallti për prekje me dorë në minutën e 56-të. Arbitri Abisso nuk ishte i këtij mendimi, duke bërë shenjë që loja të vazhdojë. Të besuarit e Max Allegrit barazuan shifrat me Milik në të 60-tën, festa zgjati pak pasi goli u anulua.
Me këtë rezultat, Juventus është në vendin e dytë me 53 pikë, 7 pikë më pak se Interi kryesues, por që ka luajtur një ndeshje më shumë se zikaltërit. Udine është në vendin e 15-të.
Lini një Përgjigje