
Maks Vershtapen me Red Bull siguroi “pole position” në pistën e Jeddah, i vlefshëm për garën e Çmimit të Madh të Arabisë në Formula 1. Kampioni i botës ndali kronometrin në kohën 1’27”294, më i shpejti në pistë.
Një kohë rekord kjo e pilotit holandez, që do të ndajë vijën e parë të nisjes bashkë me Oskar Piastrin, i dyti me MekLaren. Diferenca mes dy pilotëve është vetëm 10 të mijëtat, çka premton për një garë të bukur të dielën.
Ajo që bie në sy është se në katër vendet e para janë 4 makina të ndryshme. Kështu, në vendin e tretë u klasifikua Xhorxh Rasëll me Mercedes, që la pas makinën Ferrari të Sharles Lëklerk. Pra, gjithçka e hapur për garën.
Ai që zhgënjeu në këto prova ishte britaniku Lando Norris me MekLaren, që pati një aksident në sesionin e tretë të provave zyrtatre. Ai nuk regjistroi dot një kohë dhe do ta nisë garën nga vendi i dhjetë, shumë larg kreut.
Pas Lëklerk, në vendin e pestë u rendit Kimi Antoneli me Mercedes dhe më pas u klasifikuan Karlos Sainz (Uilliams), Luis Hemilton (Ferrari), Juki Tsunoda (Red Bull) e Pier Gasli (Alpine), që plotësojnë top-10.
Lini një Përgjigje