
Emri i Xhanluka Prestianit ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë javës së fundit, pas akuzave për një fyerje raciste të supozuar ndaj Vinicius Zhunior në ndeshjen e parë të “playoff”-it mes Benfikës dhe Realit të Madridit.
UEFA hapi një hetim lidhur me incidentin dhe vendosi ta pezullojë futbollistin argjentinas me një ndeshje. Sipas informacionit të bërë publik, ndaj tij nuk janë gjetur prova subjektive që të vërtetojnë akuzën. Megjithatë, vendimi disiplinor u mor, ndërsa Benfika apeloi vendimin, i cili u rrëzua.
Pas konfirmimit të pezullimit, 20-vjeçari reagoi përmes një postimi në rrjetin social X (ish-Twitter), të cilin e fshiu pak minuta më vonë. Në mesazhin e tij, Prestiani shprehu hapur pakënaqësinë ndaj vendimit:
“Është e qartë se mund të gjuash me grusht kur topi është larg. Është e qartë se mund të dënosh dikë pa pasur prova. Tashmë as nuk mundohen më ta fshehin kur në mes është Reali i Madridit. Është një turp”, – shkruante ai.
Me këtë reagim, Prestiani duket se i është referuar një episodi tjetër të ndeshjes, ku në një moment me topin larg, nga pamjet televizive duket një kontakt fizik mes Samuel Dahl dhe Federiko Valverdes. Sipas pamjeve, Valverde godet me grusht mbrojtësin e Benfikës.
Ky episod nuk u ripa në sistemin VAR, çka ka shkaktuar polemika dhe pakënaqësi në kampin portugez. Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga UEFA lidhur me këtë situatë specifike.
Rasti ka ndezur debat në opinionin sportiv, duke ngritur pikëpyetje mbi kriteret e vendimmarrjes dhe përdorimin e teknologjisë VAR në ndeshje të nivelit të lartë.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse do të ketë zhvillime të tjera apo reagime shtesë nga palët e përfshira.
Lini një Përgjigje