
Pozita e trajnerit të Kombëtares së Marokut, Valid Regragi, është vënë në pikëpyetje vetëm katër muaj para nisjes së Kupës së Botës 2026. Federata e Futbollit e Marokut mohoi të martën largimin e tij nga detyra, por konfirmoi se ka zhvilluar bisedime me kandidatë të mundshëm për ta zëvendësuar.
Mes emrave të përfolur është edhe ish-mesfushori i Barcelonës, Çavi Hernandez. Sipas burimeve të afërta me situatën e trajnerit spanjoll, një marrëveshje mes palëve nuk është arritur. I njëjti burim ka bërë të ditur se 46-vjeçari do të preferonte të merrte drejtimin e një përfaqësueseje pas përfundimit të Kupës së Botës, duke nënkuptuar mungesë kohe për përgatitje adekuate.
Televizioni katalanas “Esport3” raportoi se Çavi ka refuzuar ofertën për të marrë drejtimin e kombëtares afrikane, duke argumentuar se nuk ka kohë të mjaftueshme për ta përgatitur skuadrën për një turne të përmasave të tilla.
Regragi, 50 vjeç, arriti një sukses historik me Marokun në Kupën e Botës 2022 në Katar, duke e çuar skuadrën në gjysmëfinale, arritja më e lartë ndonjëherë për një kombëtare afrikane në këtë kompeticion.
Megjithatë, në dy edicionet e fundit të Kupës së Kombeve të Afrikës, Maroku nuk ka arritur të fitojë titullin. Në vitin 2023, përfaqësuesja u eliminua në raundin e 1/16-ave në turneun e zhvilluar në Bregun e Fildishtë. Ndërsa në edicionin e vitit 2025, Maroku humbi finalen ndaj Senegalit pas kohës shtesë, duke mbetur pa trofeun që nuk e fiton që nga viti 1976.
Këto rezultate kanë shtuar presionin mbi trajnerin, sidomos në një kohë kur investimet në futboll në Marok gjatë 15 viteve të fundit kanë rritur ndjeshëm pritshmëritë për sukses në arenën ndërkombëtare. Regragi është përballur gjithashtu me kritika për stilin e tij pragmatik të lojës.
Çavi Hernandez, i cili u tërhoq nga futbolli aktiv rreth një dekadë më parë, ka pasur një karrierë të suksesshme si lojtar me Barcelonën, duke fituar katër Liga të Kampionëve dhe tetë tituj në La Liga. Ai ishte pjesë e përfaqësueses së Spanjës që fitoi Kupën e Botës në vitin 2010.
Në rolin e trajnerit, Çavi drejtoi fillimisht Al-Saad në Katar, përpara se të merrte drejtimin e Barcelonës nga viti 2021 deri në vitin 2024.
E ardhmja e stolit të Marokut mbetet e paqartë, ndërsa përgatitjet për Botërorin 2026 po afrohen. Deri tani, Federata ka mohuar ndryshime zyrtare, por zhvillimet e fundit sugjerojnë se vendimi përfundimtar mund të merret në javët në vijim.
Lini një Përgjigje