
Një gjykatë në Austri ka dënuar me shtatë muaj burg dhe me një gjobë prej 1,200 eurosh një person të shpallur fajtor për regjistrimin e fshehtë të videove dhe fotografive në dhomat e zhveshjes, palestrat dhe dushet e ekipit të futbollit për femra të Altaçit.
Përveç dënimit me burg dhe gjobës, i pandehuri është urdhëruar të paguajë edhe nga 625 euro kompensim për secilën “viktimë”. Sipas prokurorisë, në materialet e sekuestruara janë identifikuar rreth 30 lojtare.
Eleni Ritman, e cila aktualisht aktivizohet me Evian në Francë dhe më herët ka qenë pjesë e Altaçit, reagoi publikisht ndaj vendimit të gjykatës, duke shprehur pakënaqësi për masën e dënimit.
“Nuk kam fjalë. Autori i krimit ishte jo vetëm një arbitër i nivelit të lartë në Zvicër, por edhe një zyrtar në Altaç. Dhe pikërisht aty ka filmuar lojtaret, përfshirë të mitura. Tani pyetja ime është: A është ky një dënim i duhur?”, shkroi ajo në një postim në Instagram.
Në vijim të reagimit të saj, Ritman ngriti shqetësimin nëse një dënim i tillë shërben si paralajmërim për raste të ngjashme në të ardhmen. “Ne ndiheshim të sigurta në dhomën tonë të zhveshjes dhe kjo e ka dëmtuar rëndë privatësinë tonë. Disa prej nesh ende nuk ndihen të sigurta në dushe publike. Për mua, ky nuk është një sinjal i mjaftueshëm se veprime të tilla nuk tolerohen në shoqërinë tonë,” u shpreh ajo.
Gjatë procesit gjyqësor, u lexua edhe një deklaratë e përbashkët nga viktimat, ku thuhej: “Ne jemi gra të reja, disa prej nesh ende vajza të reja. Ajo që ndodhi na ka hequr gjithçka që kishim. Për vite me radhë na u tha se dhoma e zhveshjes ishte shtëpia jonë, por kjo shtëpi u shkatërrua nga dikush që mendonim se ishte pjesë e kësaj familjeje.”
Sipas të dhënave të bëra publike në gjyq, i dënuari kishte punuar për klubin që garon në kategorinë më të lartë të futbollit në Austri nga viti 2020 deri në vitin 2025.
Çështja mbetet e hapur, pasi prokurori ka kërkuar kohë shtesë për të shqyrtuar mundësinë e paraqitjes së një apeli ndaj vendimit të gjykatës.
Lini një Përgjigje