
Mançester Siti ndodhet përballë një prej çështjeve më të rëndësishme në historinë e klubit, teksa rrezikon një zbritje deri në 60 pikë në Premier Ligë, nëse shpallet fajtor për 115 akuzat për shkelje të rregullave të “Fair Play”-t financiar. Vendimi përfundimtar ende nuk është bërë publik, ndërsa procesi ka zgjatur prej disa vitesh.
Akuzat ndaj klubit nga stadiumi “Etihad” u bënë publike në fillim të vitit 2023, pas një hetimi të gjatë nga autoritetet e Premier Ligës. Një seancë dëgjimore e pavarur përfundoi në fund të vitit 2024, por më shumë se një vit më vonë ende nuk ka një vendim përfundimtar.
Sipas raportimeve të “Goal.com”, rregulloret aktuale nuk parashikojnë rrëzimin direkt të klubit nga kategoria nga ana e Premier Ligës, çka ka shtuar spekulimet mbi masat e mundshme disiplinore. Një prej skenarëve të përfolur është zbritja e konsiderueshme e pikëve.
Klubi i Mançester Sitit ka mohuar vazhdimisht akuzat dhe ka deklaruar se është i bindur në pafajësinë e tij.
Eksperti i financave të futbollit, Kieran Maguire, ka shpjeguar arsyet e vonesës së vendimit. Sipas tij, si pala akuzuese ashtu edhe mbrojtja kanë paraqitur rreth gjysmë milioni dokumente dhe prova gjatë procesit.
“Seanca dëgjimore përfundoi në dhjetor 2024 dhe që atëherë kanë kaluar 14 muaj pa asnjë lajm. Duke pasur parasysh raste të ngjashme mashtrimi, mendoj se ndoshta jemi në fazat përfundimtare të një vendimi”, deklaroi Maguire.
Ai theksoi gjithashtu se paneli vendimmarrës përbëhet nga tre gjyqtarë me pozita të larta, gjë që ka vështirësuar koordinimin dhe ka kontribuar në zgjatjen e procesit. Sipas tij, vendimi pritet në muajt e ardhshëm, ndërsa si Premier Liga ashtu edhe klubi do të njoftohen 24 orë përpara publikimit zyrtar, për t’u dhënë mundësi avokatëve të shqyrtojnë detajet.
Ndërkohë që pritet verdikti, skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola vijon garën për trofe në kompeticionet vendase dhe ndërkombëtare. Megjithatë, pasiguria rreth çështjes financiare mbetet një faktor që mund të ndikojë në të ardhmen sportive dhe institucionale të klubit.
Lini një Përgjigje