
Lorent Tolaj po zhvillon një sezon mbresëlënës në futbollin anglez. Sulmuesi 24-vjeçar, i cili aktualisht aktivizohet me Plimuth në “League One” – kategoria e tretë për nga niveli në Angli – ka tërhequr vëmendjen me paraqitjet dhe efikasitetin para portës.
Tolaj ka realizuar 18 gola në total gjatë këtij edicioni. Sezonin e nisi me Port Vale, përpara se të transferohej te Plimuth, klub që investoi rreth 1.4 milionë euro për kartonin e tij në verën e kaluar. Ai ka një kontratë të vlefshme deri në vitin 2029.
Në kampionat, 24-vjeçari ka shënuar 14 gola, duke u renditur mes golashënuesve më të mirë dhe vetëm dy realizime larg kryesuesit të listës.
Sipas gazetarit të “Daily Mail”, Simon Jones, gjigantët skocezë të Sëlltikut kanë shfaqur interes për sulmuesin. Deri tani nuk ka konfirmim zyrtar nga klubet, por raportimet mediatike sugjerojnë se Tolaj është në radarët e kampionëve të Skocisë.
Përveç Sëlltikut, raportohet se edhe klube të tjera kanë monitoruar situatën e tij gjatë kësaj periudhe, çka mund të shtojë konkurrencën në rast të një oferte konkrete.
Tolaj ka përfaqësuar Zvicrën në nivelet e moshave, por ekziston mundësia që në të ardhmen të ndryshojë kombëtare në nivel senior, nëse plotësohen kriteret përkatëse. Deri më tani, ai nuk ka debutuar me përfaqësuesen A.
Me formën aktuale dhe interesimin në rritje nga klube me peshë, e ardhmja e Lorent Tolajt pritet të jetë një nga temat e merkatos në muajt në vijim.
Lini një Përgjigje