
Kombëtares shqiptare pritet t’i shtohet një tjetër futbollist në organikë. Sipas raportimeve në media, qendërmbrojtësi Bujar Pllana është pajisur me pasaportë shqiptare, duke i hapur rrugën një grumbullimi të mundshëm me ekipin kuqezi.
24-vjeçari, i cili aktivizohet aktualisht me Lechia Gdansk në elitën e futbollit polak, konsiderohet si një alternativë shtesë për trajnerin Silvinjo në prag të ndeshjeve “play-off” të Botërorit, që do të zhvillohen në muajin mars.
Pllana e ka nisur karrierën në Kosovë, ku është aktivizuar me Trepçën, Ferronikelin dhe Prishtinën. Më pas ai u transferua në Kroaci te Slaven Belupo, përpara se të kalonte në kampionatin polak, ku aktualisht është pjesë e Lechia Gdansk.
Sa i përket përfaqësueses së Kosovës, Pllana ka qenë pjesë e ekipeve zinxhir, duke regjistruar katër paraqitje me U-19 dhe tre me U-21. Megjithatë, ai nuk ka marrë asnjëherë ftesë nga përfaqësuesja A.
Mbetet për t’u parë nëse qendërmbrojtësi do të përfshihet në listën e ardhshme të Kombëtares shqiptare dhe nëse do të debutojë me fanellën kuqezi në ndeshjet vendimtare të muajit mars.
Lini një Përgjigje