
Teuta dhe Tirana kanë ndarë pikët në javën e dytë të Abissnet Superiore. Ndeshja e cila u luajt në “Niko Dovana” u mbyll në barazim 2-2.
Bardheblutë kaluan në avantazh që në minutën e 3. Hasani realizoi pas një kundërsulmi, ku doli i vetëm përpara portës dhe shmangu portierin Dema.
Durrsakët u kundërpërgjigjën menjëherë dhe 7 minuta më vonë barazuan rezultatin. Fili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Në minutën e 19, “Djemtë e Detit” gjetën golin e përmbysjes. Aksion i shkëlqyer i skuadrës së Diego Longos me Peposhin në krahun e djathtë. Harkimi i tij në shtyllën e dytë gjeti Gjinollarin, i cili e dërgoi topin në rrjetë.
Në minutën e 35, në “Niko Dovana” u fikën dritat në stadium, çka bëri që ndeshja të ndërpritej dhe të rifillonte sërish pas 6 minutash.
Në minutën e 58, Tirana barazoi shifrat. Pas një goditje nga këndi ishte Najdovski, i cili gjuajti me kokë dhe dërgoi topin në rrjetë.
Me këtë barazim, Tirana ngjitet në vendin e dytë me 4 pikë, po aq sa Vllaznia, ndërsa Teuta renditet në vendin e 5 me 1 pikë.
Lini një Përgjigje