
Tirana e nis me këmbën e mbarë vitin 2024. Bardheblutë kanë triumfuar me përmbysje ndaj Dinamos në “Niko Dovana”.
Kryeqytetasit e panë veten në disavantazh të dy golave në pjesën e parë. Në minutën e 25, “nëndetësja blu” zhbllokoi ndeshjen. Kundërsulm i shpejtë i ekipit të Dritan Mehmetit, të cilët nisen me shpejtësi me një kombinim Vila-Denison. Ky i fundit nisi Kaçorrin nga e majta ku ai më pas harkoi në shtyllën e dytë për Zabërgjën, i cili dërgoi topin në portën e Tiranës.
Në minutën e 46, dinamovitët dyfishuan shifrat. Një top i gjatë para nga Dinamo u largua nga Abdullahuu me kokë, por Andoni gjuajti fluturimthi nga distanca dhe dërgoi topin në rrjetë.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e vendasve. Në pjesën e dytë bardheblutë kthyen gjithçka në favor të tyre.
Në minutën e 56, bardheblutë rihapën ndeshjen me Hoxhallarin, i cili realizoi me kokë pas një harkimi në një goditje dënimi nga e djathta e sulmit.
3 minuta më vonë, ekipi i Julian Ahmatajt barazuan shifrat. Aksion në të majtën i Abazajt, i cili më pas nisi topin drejt qendrës ku erdhi Deliu, i cili me një gjuajtje të saktë në hyrje të zonës mposhti Salin.
Në minutën e 82, Latifi përmbysi ndeshjen, i cili realizoi nga pika e bardhë.
Me këtë fitore, Tirana renditet në vendin e 3 me 29 pikë, ndërsa Dinamo mban vendin e 5 me 22 pikë.
Lini një Përgjigje