
E ardhmja e trajnerit të Arsenalit, Mikel Arteta, mund të vihet seriozisht në diskutim në fund të sezonit, nëse skuadra nuk arrin të sigurojë një nga dy trofetë madhorë: Premier Ligën ose Ligën e Kampioneve. Mediat angleze raportojnë se drejtuesit e klubit londinez po ndjekin nga afër situatën dhe pritet të marrin një vendim të rëndësishëm pas përfundimit të sezonit, në rast se objektivat kryesore nuk realizohen.
Në këtë kontekst, burime pranë klubit bëjnë me dije se është identifikuar një kandidat potencial për të zëvendësuar Artetën. Bëhet fjalë për ish-mesfushorin legjendar të Arsenalit dhe trajnerin aktual të Komos, Çesk Fabregas. Spanjolli, shumë i vlerësuar nga tifozët për kontributin e tij në të kaluarën, mund të rikthehet në Londër, kësaj here në rolin e trajnerit.
Ndërkohë, forma e skuadrës ka ngritur shqetësime. “Topçinjtë” kanë humbur tre nga katër ndeshjet e fundit, duke dobësuar pozitat në garën për titull dhe duke lënë Premier Ligën të hapur, pas humbjes ndaj Bërnmuthit dhe fitores së Mançester Sitit kundër Çelsit.
Në prag të përballjes së rëndësishme në Ligën e Kampioneve, Arsenali do të presë Sportingun në ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve në stadiumin “Emirates”. Londinezët vijnë me një avantazh minimal pas golit në minutën e fundit të Kai Haverc në ndeshjen e parë, që i mban në garë për kualifikim.

Megjithatë, situata në kampin e Arsenalit mbetet e vështirë për shkak të mungesave të shumta. Në stërvitjen e fundit nuk morën pjesë Rikardo Kalafiori, Bukajo Saka dhe Jurrien Timber. Po ashtu mungon edhe Martin Odegaard, i cili luajti 70 minuta në sfidën e parë.
Në pikëpyetje mbetet edhe gjendja e mesfushorit anglez Deklan Rajs, i cili gjithashtu mungoi në stërvitje. Trajneri Mikel Arteta u tregua i rezervuar në deklaratat e tij në konferencën për shtyp.
“Nuk dua të flas për këtë tani, duhet të presim dhe të shohim sesi do të shkojë deri para sfidës. Ai nuk ishte në gjendje të stërvitej…”, u shpreh Arteta.
Ai shtoi se vendimet për formacionin do të merren vetëm në momentet e fundit:
“Duhet të presim, për të parë sesi janë disa nga lojtarët dhe për të bërë zgjedhjet e duhura.”
Lini një Përgjigje