
Skuadra e Realit të Madridit ka njoftuar ndarjen nga jeta të një prej figurave më emblematike të historisë së tij, Hoze Emilio Santamaria, i cili u nda nga jeta në moshën 96-vjeçare.
Santamaria ishte një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes së Realit në periudhën 1957–1965. Gjatë kësaj kohe, ai kontribuoi në fitimin e gjashtë titujve në La Liga dhe katër trofeve të European Cup, duke qenë pjesë e një prej epokave më të suksesshme të klubit madrilen.
Para transferimit në Spanjë, ai pati një karrierë të spikatur me klubin Nacional në Uruguai, ku fitoi pesë tituj kampionë mes viteve 1950 dhe 1957.
I lindur në Montevideo, Santamaria zhvilloi 25 ndeshje me përfaqësuesen e Uruguait. Më pas, ai ndryshoi përfaqësimin dhe luajti 16 ndeshje për Spanjën, duke filluar nga viti 1958.
I njohur me nofkën “Muri” për qendrueshmërinë dhe sigurinë në mbrojtje, ai u tërhoq nga futbolli në vitin 1966. Më pas iu përkushtua trajningut, duke drejtuar Espanjolin për gjashtë vite (1971–1977) dhe duke e çuar skuadrën në katërshen e parë. Ai shërbeu gjithashtu si trajner i kombëtares së Spanjës në periudhën 1980–1982 dhe drejtoi ekipin në Lojërat Olimpike të viteve 1968 dhe 1980.
Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Pérez, shprehu ngushëllimet duke e cilësuar Santamarian si një nga simbolet më të mëdha të klubit.
“Ai ishte pjesë e një skuadre që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e tifozëve dhe të gjithë botës së futbollit. Së bashku me Alfredo Di Stefanon, Ferenc Pushkash, Françisko Genton dhe Rajmond Kopa, ai ndihmoi në ndërtimin e mitit të Realit të Madridit”, deklaroi Pérez.
Edhe La Liga reagoi me një mesazh ngushëllimi, duke shprehur dhimbjen për humbjen e një figure të madhe të futbollit dhe duke i dërguar ngushëllime familjes dhe miqve të tij.
Lini një Përgjigje