
Driblimi nuk ka qenë një armë e fortë e Igli Tares. Edhe në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi i njohur i Kombëtares shqiptare i thotë gjërat drejtpërdrejt.
Përpara ndeshjes me Gjeorgjinë që ekipi kombëtar do të luajë pasditen e sotme në Tbilisi, Tare jep opinionet e tij në lidhje me situatën jo të mirë që po kalojnë kuqezinjtë. Me eksperiencën e një drejtori prej vitesh te Lacio, Igli thotë se ashtu siç Silvinjo dhe stafi i tij u lavdëruan për kualifikueset fantastike, aktualisht ka disa gjëra që lenë për të dëshiruar. Ai shprehet se ekipit i mungon uria dhe se nuk e kupton aktivizimin shumë të pakët të lojtarëve si Muçi apo Hoxha.
Çfarë nuk po shkon me Kombëtaren, u bë ndeshja e dytë radhazi që ekipi nuk po del në lojën e vet?
Gjithçka fillon pas Europianit sepse edhe gjatë turneut ka patur dy këndvështrime të ndryshme. Ka pasur një këndvështrim ndoshta nga trajneri ku skuadra jonë duhet të ishte e kënaqur me një humbje minimale dhe duke e quajtur një rezultat pozitiv sepse dimensionet e skuadrës quheshin të vogla dhe nga krahu tjetër dimensionet e publikut dhe të pritshmërive ishin shumë të mëdha. Unë besoj se Europiani, edhe pse ishim në grupin më të vështirë, i kishim të gjitha mundësitë dhe nëse do të kishim luajtur në një mënyrë më kurajoze, më ofensive dhe sidomos me leximin e ndeshjes në situatat e ndryshme, si me Italinë ku kaluam në avantazh dhe në ndeshjen e dytë me Kroacinë, që ishte në kohën e duhur dhe duhet të ishin bërë disa ndërrime në fillimin e pjesës së dytë duke futur lojtarë që kanë aftësinë që të sulmojnë thellësinë, si Daku, Hoxha apo Muçi dhe këto gjëra nuk ndodhën. Finalja ishte që nga të trija ndeshjet, ngelën të kënaqur nga paraqitja e skuadrës, por unë nuk do ta shihja ashtu.
Si është këndvështrimi juaj?
Do ta shihja në një mënyrë tjetër, sepse duke u nisur edhe nga kualifikimi që ekipi pati, me meritë të plotë të trajnerit dhe stafit teknik, e them këtë që të mos jemi vetëm kritikues. Mënyrës sesi brenda një viti transformuan një skuadër totalisht, duke e bërë fituese dhe dominuese. Por, mentaliteti i trajnerit duhet të bënte diferencën në Europian, sepse është një trajner që ka punuar dhe jetuar me mentalitetet fituese.
Po tani pas Europianit, çfarë ndodhi?
Në një skuadër si e jona, me pak eksperiencë në Europian dhe me pak vetëbesim për ato kualitetet që kishte mund të bënte më shumë dhe kjo është rrjedhshmëri edhe pas Europianit. Fitorja me Ukrainën ishte një fitore mëse e merituar për mënyrën sesi luajti skuadra në fushë. Por, gabimi më i madh për mua ishte ndeshja me Gjeorgjinë. Ne nuk jemi një skuadër që na mungojnë alternativat edhe kur kemi mungesa në ekip. Kemi një grup të zgjeruar dhe në ndeshjen me Gjeorgjinë kishte vend ku të paktën 5 lojtarë të pushonin, një nga ata ishte edhe Manaj që atë takim ishte jashtë forme, shumë i lodhur dhe nuk e dha paraqitjen e duhur. Aty mendoj se kishte vend për një rifreskim të skuadrës dhe në momentin e duhur të fuste në fushë lojtarët që kishin një rol kryesor në fitoren me Ukrainën, duke i dhënë nga 20 apo 30 minuta në ndeshjen e dytë. Dhe besoj se do të ishte një rezultat ndryshe.
Si e pa Tare ndeshjen e fundit me Çekinë?
Sa i përket humbjes me Çekinë është çështje komplet psikologjike sepse skuadra jonë dhe intervista e trajnerit pas ndeshjes, e vërtetoi atë që po them. “Kundërshtarët na kanë studiuar sikur jemi Brazili”. Përkundrazi, ata e prisnin me padurim atë ndeshje sepse i quanin të turpshme dy ndeshjet në kualifikuese, si barazimi në Çeki dhe humbja në Tiranë. Në këtë aspekt, kush e bën diferencën? E bën trajneri! Sepse ai duhet të ndihet i zoti që ta motivojë skuadrën dhe t’i bëjë një rifreskim total të objektivave, që ajo që ka qenë me Europianin i përket të kaluarës dhe e ardhmja është e paditur. Ky grup është në një situatë letargjike dhe është e njëjta fazë që ka ndodhur pas Europianit të 2016-s. Identike e njëjta situatë me diferencën e vetëm që atë kohë, skuadra ishte e limituar sa i përket numrit të lojtarëve, ndërsa në këtë edicion, skuadra ka alternativa në të gjithë repartet e fushës.
Ka alternativa, por Silvinjo i beson pothuajse të njëjtëve lojtarë?
Për mendimin tim është diçka e gabuar. Edhe vet programi i ndeshjeve është që duhet të luash dy të tilla për 3-4 ditë, duke patur parasysh edhe udhëtimet e largëta jashtë. Në këtë aspekt, trajneri duhet të jetë i kujdesshëm dhe ta krijojë atë besueshmërinë brenda grupit sepse siç e kemi lavdëruar që ka bërë një punë fantastike me kualifikimin në Europian, në këtë moment ka gjëra që lenë për të dëshiruar. E lexon nga jashtë çfarë skuadër është. Po e marr thjeshtë. Hysaj ka qenë lojtari më i kritikuar në Europian dhe në këto ndeshje ka luajtur më mirë sesa të tjerët. Pse? Sepse është jashtë listës së skuadrës së Lacios dhe është 100 % i përqendruar që të japë maksimumin në ekipin kombëtar. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me skuadrën dhe reagimin. Trajnerin në fakt e shoh pak në vështirësi, në konfuzion, sepse janë ato detajet që bëjnë diferencën. Si me Gjeorgjinë dhe me Çekinë, janë detaje dhe jo një lojë dominuese.
Për kë mendoni se mund të ketë më shumë hapësirë?
Këtë e lidh më shumë me mosaktivizimin e lojtarëve si Hoxha, Muçi, lojtarë më kualitete që janë të kërkuar në futbollin e sotëm modern. Lojtarë që kanë lojën një kundër një. Lojtarë që krijojnë situata ofensive shumë të mira dhe sulmojnë thellësinë. Në këtë aspekt trajneri duhet të jetë më i besueshëm sepse për mendimin tim është e pakonceptueshme që një lojtar si Muçi të aktivizohet me ekipin kombëtar jo më shumë se 7 minuta apo 4 minuta. Minutazhi i këtyre lojtarëve për mendimin tim është i ulët dhe nuk mund ta bëjnë atë diferencën që mund ta bëjnë nëse luajnë më shumë.
A mendon se Silvinjo duhet të ndryshojë sistemin e lojës?
E rëndësishme është që një trajner të ketë një ide futbolli dhe atë ide duhet ta transmetojë te skuadra. Por, çdo gjë është e lidhur me rezultatet. Unë mendoj se është një skuadër që mund të luajë shumë mirë me 4-2-3-1 me lojtarë si Hoxha, Muçi. Kur janë dy ndeshje njëra pas tjetrës, është e rëndësishme që t’u jepet mundësia. Nëse ai do që ta interpretojë skemën e tij me dy lojtarë në krah që hyjnë nga qendra me këmbën e kundërt, atëherë duhet të marrë në skuadër ata lojtarë që i kanë ato karakteristika. Sepse është shumë e rëndësishme ekuilibri në fazën mbrojtëse.
Gjimshiti dhe Ajeti në Europian, ndërsa këtë edicion po luan Kumbulla-Ismajli, si të duket kjo dyshe në mbrojtje?
Gjimshiti ishte i dëmtuar. Si e mendoj unë futbollin është që duhet të kesh një me këmbën e majtë dhe një me të djathtë. Në momentin që nuk ndodhen, është trajneri ai që e vendos se cili do të luajë në krahun e majtë me këmbën e djathtë. Si Ismajli dhe Kumbulla janë lojtarë që kanë një lloj eksperience dhe po të shohësh golat, duhet të japësh meritë kundërshtarit. Te goli i parë qendërsulmuesi i Çekisë ishte i saktë te goditja që bëri dhe te i dyti kishte vlerë sepse u ç’markua me gjatësinë që kishte dhe janë disa gjëra që nuk duhet të gjykojmë këto gabime, por sesi skuadra paraqitet në fushën e lojës.
Çfarë duhet të bëjë sot Kombëtarja për tu rikthyer te suksesi?
Duhet të mendojmë që jemi dikushi dhe kur je dikushi duhet të tregosh që ke më shumë uri sesa të tjerët në fushë dhe nuk mund ta pranoj atë shprehjen e trajnerit që thotë se të tjerët na kanë studiuar dhe prandaj ndodhin këto gjëra. Siç të studiojnë ata, mund ta studiosh edhe ti ekipin kundërshtar dhe mbi të gjitha diferencën e bën, qasja që t’i ke kur futesh në fushë për ta fituar ndeshjen me “dhëmbë” siç e bënim në kualifikueset e Europianit sepse e dinim që të shkojë të luajë në Çeki, duhet të jepje 150 % që të kapje rezultat pozitiv. Ndërkohë sot, e mendojmë në mënyrën se duhet të japim 70-80 % për të marrë një rezultat pozitiv. Kjo është gjë e gabuar.
Shqipëria luan sot me Gjeorgjinë dhe fitorja është ajo që na bën punë, sa shanse kemi duke parë edhe ecurinë e tyre në këto dy vitet e fundit, nuk janë “kafshatë e lehtë”, por as të pakalueshëm nuk janë?
As Shqipëria nuk është kafshatë e lehtë. Problemi është që na duhen ne pikët dhe mbi të gjitha është problemi që kjo ndeshje të fut brenda ose të nxjerr jashtë. Nuk duhet të humbasim, edhe pse ata janë një skuadër që kanë publikun shumë të fortë. Kështu që do të jetë e vështirë dhe këto janë analiza që trajneri duhet t’i bëjë brenda vetes sepse për momentin ajo që i mungon kësaj skuadre është ajo uria dhe entuziazmi që kishim në kualifikueset. Kjo është ajo që konstatohet nga jashtë.
Lini një Përgjigje