TAGS-AT E JAVËS

Sport 6 Qershor 2025, 22:00

Shqipëri–Serbi, jo vetëm një ndeshje: Nga droni i Beogradit te përballja në "Air Albania"!

Shkruar nga Pamfleti

Shqipëri–Serbi, jo vetëm një ndeshje: Nga droni i Beogradit

Tension, krenari dhe histori përtej futbollit; çfarë pritet nesër në një nga sfidat më të ngarkuara emocionalisht për kombëtaren e Shqipërisë në këtë fazë eliminatore? 

Nesër, në stadiumin "Air Albania", Shqipëria do të përballët me Serbinë, në atë që nuk është thjesht një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2026, por një ndeshje me pesha të thella historike, politike dhe emocionale. Kjo sfidë vjen me simbolikë të veçantë, 10 vite pas incidentit të famshëm në Beograd, kur në 14 tetor 2014 një dron me flamurin e Shqipërisë së Madhe fluturoi mbi stadiumin Partizani, duke ndezur një zjarr të paprecedent.

Atë natë, në vend të futbollit, u pa urrejtje, dhunë dhe egërsi. Kombëtarja shqiptare u sulmua fizikisht, por fitoi moralin e një kombi tërë. U desh FIFA dhe UEFA të vendosnin drejtësi administrative, por në zemrat shqiptare, ajo ndeshje u fitua në terren.

Sot, 1 dekadë më vonë, klima është pak më ndryshe, por tensioni sërish pritet i lartë. Policia shqiptare ka vendosur masa ekstreme sigurie, duke blinduar Tiranën. Trajneri serb Dragan Stojkoviç e ka shmangur dimensionin politik, ndërsa Silvinjo, me profesionalizmin e tij, ka ndërtuar një ekip që frymëzon besim.

Sportivisht, Shqipëria ka treguar se nuk është më ajo skuadër që priste mrekullitë. Tani jemi konkurrentë seriozë. Me emra si Asllani, Broja, Gjimshiti apo Strakosha, kuqezinjtë janë të fortë, të organizuar dhe me vetëbesim. Serbia vjen me yje të futbollit europian, por shpesh ka dështuar në ndeshje me ngarkesë emocionale.

Çfarë duhet të presim nesër? Një ndeshje të fortë, të tensionuar... padyshim emocionale. Shqipëria do të mbështetet tek mbrojtja solide dhe goditjet e shpejta. Serbia do të provojë të dominojë topin, por 22 mijë tifozë do të ngrejne peshë stadiumin dhe fitorja nuk mund të jetë larg.

Një fitore nesër nuk do të ishte vetëm tre pikë, por do të ishte një kapitull i ri krenarie në historinë tonë kombëtare. Dhe Shqipëria e meriton të shkruajë histori. /Pamfleti

Lini një Përgjigje