
Tekniku kuqezi vlerësoi kundërshtarin, por theksoi se kombëtarja shqiptare futet në fushë vetëm për fitore.
Kombëtarja shqiptare do të zbresë nesër në fushë përballë Serbisë. Padyshim që është një duel që shkon përtej futbollit dhe interesi është i jashtëzakonshëm.
Sot pasdite dolën në konferencë për shtyp trajneri Silvinjo bashkë me kapitenin Gjimshiti. Tekniku brazilian e shprehu qartë se nesër Kombëtarja shqiptare zbret në fushë për të marrë 3 pikë. Ai deklaroi se pret një ndeshje të bukur, teksa u shpreh se Serbia ka lojtarë të mirë, por nuk mbetet pas kombëtarja kuqezi.
I pyetur për formacionin, Silvinjo u shpreh se e ka në mendje formacionin, por do ta zbulojë para ndeshjes.
“Ata janë një ekip i fortë edhe individualisht. Edhe ne kemi lojtarë shumë të mirë. Janë një ekip shumë i mirë dhe bëjnë tranzicion shumë shpejt. Nesër shpresoj të kemi një ndeshje të bukur. Të gjithë trajnerët e përgatisin ndeshjen për ta fituar. Shpresoj të dhurojmë një ndeshje të bukur. Mund të ndodhë çdo gjë. Rrugëtimi drejt Botërorit është i gjatë dhe të shohim si do të shkojë. Futemi në ndeshje për të marrë 3 pikët.
Shumë trajnerë ankohen pas përfundimit të sezonit për gjendjen e lojtarëve. Kemi bërë stërvitje të mirë. Nesër në 20:45, do t’ju tregoj formacionin. Ndaj Andorrës bëmë ndryshime dhe dolën mirë. Këtë herë kemi një kundërshtar ndryshe. E kam në mendje formacionin, por të shohim nesër si do të shkojë”, u shpreh Silvinjo.
Më tej ai pati dhe një mesazh për lojtarët. Ai ua bëri të qartë lojtarëve se nesër të gjithë duhet të “japin shpirtin në fushë”.
“Unë kam luajtur ndeshje të mëdha përgjatë karrierës time, por e kam bërë këtë gjë 15 vite më parë, kur rrjetet sociale nuk ishin një gjë kaq e madhe sa sot. Në kohën time ishte më e lehtë. Me këtë gjeneratë të re, duket sikur janë më të fokusuar te rrjetet sociale. Mesazhi im është që në këto 90 minuta keni mundësinë të bëni diçka të mirë dhe të lini shpirtin në fushë. E thashë dhe më parë, të dyja skuadrat janë të përgatitura. Kur flasim për futbollin, flitet në fushë. Nga ana tjetër, edhe ata dhe ne kemi lojtarë të mirë. Ata kanë një trajner të shkëlqyer dhe ne kemi një trajner shumë të mirë. Kështu që do të flasim vetëm me futboll”, tha Silvinjo.
Ai u pyet mbi gazetarët dhe për fotot që rrodhën në shtypin serb nga seancat stërvitore të kombëtares. Por tekniku u shpreh se nuk ka asgjë për të fshehur.
“Nuk kemi asgjë për të fshehur. Ata kanë parë ndeshjet tona të fundit. Dhe ne i kemi analizuar ndeshjet e tyre. Nuk mendoj se kanë kapur ndonjë element. Ata na njohin. Dhe ne i njohim. Të dyja kampet kanë lojtarë mjaft të njohur në arenën e futbollit botëror.
Është një ndeshje ndryshe. Por shpresoj të dhurojmë një ndeshje të bukur. Të dyja skuadrat kanë lojtarë të mirë. Uroj ta shijojmë. 22 mijë tifozët që do të jenë në stadium gjithashtu. Janë me fat ata që do të jenë në stadium. Janë një lojtar shtesë për ekipin tonë. Unë doja të sillja dhe babain tim nga Brazili që të shijonte këtë ndeshje, por ishte një udhëtim shumë i gjatë. Shpresoj që të gjithë nesër ta shijojnë këtë duel”, tha Silvinjo.
Lini një Përgjigje