
Shqipëria do të luajë në fund të muajit mars dy ndeshje vendimtare për fatin e saj në rrugëtimin drejt Kupës së Botës 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada. Kuqezinjtë do të përballen fillimisht me Poloninë dhe, nëse arrijnë të sigurojnë fitoren, do të luajnë më pas ndaj fituesit të çiftit Ukrainë–Suedi, në ndeshje që përcaktojnë skuadrat pjesëmarrëse në Botëror.
Kombëtarja shqiptare siguroi vendin e dytë në kualifikueset e fundit, çka i dha të drejtën për të qenë pjesë e fazës “play off”. Ky moment konsiderohet si një nga më të rëndësishmit në historinë e futbollit shqiptar.
Stafi teknik dhe përgatitjet për sfidat e marsit
Prej disa ditësh, stafi teknik i drejtuar nga trajneri Silvinjo ka nisur punën për përpilimin e listës së futbollistëve që do të mbajnë peshën e këtyre ndeshjeve. Forma aktuale e lojtarëve në klubet e tyre pritet të jetë një nga faktorët kyç në përzgjedhje.
Një sinjal pozitiv për kuqezinjtë është fakti se shumica e titullarëve të kualifikueseve janë aktivizuar rregullisht me ekipet respektive dhe paraqiten në gjendje të mirë fizike, me minuta të shumta dhe formë të qëndrueshme.
Megjithatë, dinamika e muajve të fundit ka sjellë ndryshime në rendimentin individual të disa futbollistëve, çka mund të ndikojë drejtpërdrejt në përbërjen e listës.
Risi të mundshme: Muçi, Mehmeti dhe emra të rinj
Dy nga emrat më të përfolur për ndeshjet e marsit janë Ernest Muçi dhe Anis Mehmeti. Të dy futbollistët po kalojnë një moment të mirë me klubet e tyre.
Mehmeti, i cili nuk u grumbullua në kualifikueset e fundit, ka qenë protagonist me Bristol City, duke shënuar dhe asistuar në mënyrë të rregullt. Nga ana tjetër, Muçi, i cili më parë nuk ishte në formën më të mirë me Beshiktashin, aktualisht po spikat në kampionatin turk me gola dhe asiste të vazhdueshme, duke tërhequr vëmendje edhe për merkaton e verës.
Një tjetër emër i lakuar është ai i mbrojtësit Stavro Pilo, aktiv me AEK-un në Greqi. Ai shihet si një alternativë e re për repartin defensiv, megjithëse përfshirja e tij do të sillte sakrifica në listën aktuale.
Deri më tani, trajneri Silvinjo ka shmangur eksperimentet, duke theksuar se kualifikueset nuk janë momenti për ndryshime të shumta. Megjithatë, situata e re me formën e lojtarëve mund të imponojë rishikime.
Ndryshime të pritshme në repartet e skuadrës
Porta
Strakosha dhe Dajsinani janë aktivizuar rregullisht me AEK-un dhe Egnatian. Simoni luan në Gjermani, ndërsa Alen Sherri është rikthyer, duke krijuar balotazh për vendin në listë.
Mbrojtja
Elseid Hysaj dhe Klisman Cake janë ndër të paktët që nuk kanë pasur vazhdimësi në aktivizim. Hysaj, për shkak të eksperiencës, pritet të jetë pjesë e listës. Ndërkohë, kampionati rus rifillon dhe Rubin Kazan, ku aktivizohen Daku dhe Cake, do të rikthehet në fushë.
Mesfusha
Shumica e mesfushorëve paraqiten në formë të mirë me klubet e tyre. Përjashtim bën Medon Berisha, i cili pas një dëmtimi me Leçen ka mbetur jashtë fushave për disa muaj. Nëse nuk rikuperohet në kohë, ai mund të mungojë në mars.
Sulmi
Në repartin ofensiv, pikëpyetja kryesore mbetet Armando Broja. Sulmuesi i Burnleyt nuk është aktivizuar prej javësh për shkak të një dëmtimi, kohëzgjatja e të cilit mbetet e paqartë.
Ndërkohë, Rey Manaj është rikthyer te goli me Sivasporin, ashtu si edhe Myrto Uzuni me skuadrën e tij në SHBA. Daku pritet të rikthehet në fushë pas një periudhe pushimi, ndërsa Indrit Tuci mund të mbetet jashtë për t’i hapur vendin Muçit.
Lini një Përgjigje