
Futbollisti anglez dhe mbrojtësi i Mançester Junajtid, Herri Meguajër është dënuar me 15 muaj burg me kusht nga një gjykatë në Greqi, në lidhje me incidentin e ndodhur në gusht të vitit 2020 në ishullin turistik të Mykonos.
Gjykata e shpalli atë fajtor për disa vepra penale, përfshirë sulm të lehtë, kundërshtim të arrestimit dhe tentativa të përsëritura për ryshfet ndaj autoriteteve. Ngjarja ndodhi gjatë pushimeve të futbollistit në Mykonos, ku ai u përfshi në një përplasje fizike së bashku me familjarë dhe më pas kaloi dy net në paraburgim.
Menjëherë pas arrestimit në vitin 2020, Meguajër kishte deklaruar se konflikti kishte nisur pas një përplasjeje me një grup shqiptarësh, të cilët, sipas tij, kishin ngacmuar motrën e tij. Ky pretendim u vu në pikëpyetje që në fazat e para të hetimit dhe u kundërshtua nga prokuroria e çështjes.
Sipas prokurorit, historia për përfshirjen e “shqiptarëve” ishte e sajuar për të justifikuar sjelljen e futbollistit dhe të personave që e shoqëronin. Gjatë shqyrtimit të provave, autoritetet greke nuk gjetën elemente që të mbështesnin këtë pretendim.
Prokuroria theksoi gjithashtu se Meguajër kishte bërë përpjekje për të mbuluar veprimet e tij gjatë incidentit.
Në vendimin fillestar të vitit 2020, futbollisti ishte dënuar me 21 muaj burg me kusht. Megjithatë, pas apelimit të vendimit u pranua rigjykimi i çështjes, çka sipas ligjit grek e bëri vendimin e parë të pavlefshëm deri në përfundimin e procesit të ri gjyqësor.
Në vendimin më të fundit, gjykata vendosi uljen e dënimit në 15 muaj burg me kusht.
Meguajër ka njoftuar se do ta apelojë sërish vendimin, duke synuar të pastrojë emrin e tij. Çështja pritet të vijojë procedurat ligjore në instancat më të larta të drejtësisë në Greqi.
Lini një Përgjigje