
Mesfushori qendror Besfort Zeneli ka reaguar publikisht në lidhje me vendimin për të përfaqësuar Suedinë në arenën ndërkombëtare, pavarësisht se më herët ka qenë pjesë e përfaqësueses U-21 të Kosovës.
Vendimi i futbollistit 23-vjeçar ka ngjallur diskutime në mesin e tifozëve shqiptarë, pasi ai zgjodhi të vazhdojë karrierën ndërkombëtare me kombëtaren skandinave. Vetë Zeneli ka sqaruar arsyet që e çuan drejt kësaj zgjedhjeje, duke theksuar lidhjen e fortë me vendin ku ka lindur dhe është rritur.
“Unë kam lindur dhe jam rritur në Suedi. E dua me gjithë zemër. E njëjta gjë vlen edhe për Kosovën. Është vendi i prindërve të mi, ndaj ishte një vendim i vështirë”, është shprehur ai.
Sipas Zenelit, zgjedhja nuk ishte e lehtë edhe për shkak të lidhjeve familjare me Kosovën. Ai ka bërë të ditur se vëllai i tij ka zgjedhur të luajë për përfaqësuesen e Kosovës, por ndjenja personale e tij ka qenë më e fortë për Suedinë.
“Vëllai luajti për Kosovën, por unë kisha një ndjenjë më të fortë për Suedinë”, ka shtuar mesfushori.
Në aspektin e karrierës në klube, Zeneli është rritur në akademinë e klubit suedez Elfsborg, ku më pas arriti edhe në ekipin e parë. Në merkaton e fundit dimërore, ai vendosi të vazhdojë karrierën jashtë Suedisë, duke u transferuar në Belgjikë te klubi Rojal Union Sen Xhilua.
Mesfushori shqiptar me pasaportë suedeze konsiderohet një nga talentet që kanë dalë nga futbolli suedez në vitet e fundit dhe pritet të vijojë zhvillimin e karrierës së tij në kampionatin belg.
Lini një Përgjigje