
Trajneri i përfaqësueses së Gjermanisë, Julian Nagelsman, ka komentuar për herë të parë në mënyrë të drejtpërdrejtë mundësinë e aktivizimit të Brajan Grudës me ekipin kombëtar A të “Pancerave”.
Sulmuesi 21-vjeçar me origjinë shqiptare aktualisht është pjesë e Gjermanisë U-21. Deri më tani, ai nuk ka debutuar me përfaqësuesen e parë të Gjermanisë, as në ndeshje miqësore dhe as në takime zyrtare.
Në një prononcim për median gjermane “Kicker”, Nagelsman vlerësoi formën e lojtarit, por theksoi se ai duhet të rrisë kontributin në aspektin ofensiv.
“Mendoj se ai po bën mjaft mirë tani te Lajpcigu. Unë e kisha përfshirë atë në ekip gjatë përgatitjeve për Europianin në shtëpi. Ai ka shumë cilësi, por mendoj se nuk e ka kuptuar ende plotësisht që e kishte mundësinë për t’u bërë pjesë e skuadrës në atë kohë. Në fund të fundit, për një sulmues gjithçka lidhet me prodhimin e më shumë golave dhe asisteve. Për nivelin e cilësisë së tij, mendoj se nuk është ende mjaftueshëm”, u shpreh Nagelsman.
Fakti që Gruda nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje me ekipin A të Gjermanisë e mban të hapur mundësinë për një ndryshim përfaqësueseje, sipas rregullores së FIFA-s, e cila lejon një lojtar të zgjedhë një kombëtare tjetër nëse nuk është aktivizuar në ndeshje zyrtare me ekipin e parë.
Në këtë kontekst, 21-vjeçari mbetet një opsion i mundshëm për Kombëtaren shqiptare dhe trajnerin Silviinjo, nëse palët do të shfaqnin interes të ndërsjellë.
Deri në një vendim përfundimtar, e ardhmja ndërkombëtare e Brajan Grudës mbetet e hapur.
Lini një Përgjigje