
Lajme jo pozitive vijnë nga Arabia Saudite në lidhje me gjendjen fizike të Kristiano Ronaldos. Sulmuesi portugez ka pësuar një dëmtim gjatë ndeshjes të së shtunës në kampionatin saudit, duke shtuar pikëpyetje mbi aktivizimin e tij në takimet e ardhshme.
Pas përfundimit të ndeshjes, Ronaldo iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore, të cilat konfirmuan se dëmtimi është më serioz nga sa ishte parashikuar fillimisht. Lajmi u bë i ditur nga vetë klubi i Al Nassr përmes një komunikate zyrtare.
Sipas njoftimit, 41-vjeçari ka pësuar një dëmtim muskular në përballjen ndaj Al Fayha. Klubi bëri të ditur se futbollisti ka nisur menjëherë programin e rehabilitimit dhe se gjendja e tij do të monitorohet në baza ditore.
Në deklaratën zyrtare nuk specifikohet zona e saktë e dëmtimit dhe as periudha e nevojshme për riaftësimin e sulmuesit portugez. Kjo lë të hapur çështjen e kohës së mungesës së tij nga fushat e lojës.
Ronaldo ka pasur më herët probleme kronike në tendinën e gjurit të majtë, por klubi nuk sqaroi nëse dëmtimi aktual lidhet me këtë problem ekzistues.
Lini një Përgjigje