
Ditët e fundit në mediat sportive është folur për një raport jo plotësisht të qetë mes klubit të Milanit dhe trajnerit Masimiiano Alegri. Sipas raportimeve, përplasjet e mundshme lidhen me premtime të pambajtura në lidhje me merkaton e transferimeve, si edhe me mungesën e qartësisë brenda drejtimit të klubit për prioritetet strategjike.
Në qendër të diskutimit është balanca mes aspektit Teknik, që lidhet me trajnerin dhe Drejtorin Sportiv Igli Tare dhe qasjes financiare të klubit, e cila drejtohet nga shefi ekzekutiv Xhorxho Furlani.
Mes hipotezave dhe diskutimeve në rrjetet sociale është përhapur ideja se Alegri, ndonëse ndihet mirë në ambientin e Milanelos, nuk e konsideron më plotësisht të sigurt të ardhmen e tij në pankinën kuqezi.
Raportimi i “Corriere dello Sport”: Reali i Madridit mund të bëjë një tentativë
Situata është komplikuar edhe më shumë nga një raportim i së përditshmes italiane “Corriere dello Sport”, sipas së cilës Reali i Madridit mund të bëjë një tjetër përpjekje për të afruar teknikun nga Livorno.
Presidenti i klubit madrilen, Florentino Perez, thuhet se po përballet me një situatë të ndërlikuar sa i përket pankinës së skuadrës. Pas largimit të Çabi Alonsos, drejtuesit e “Los Blancos” zgjodhën një zgjidhje të brendshme duke i besuar pankinën trajnerit të skuadrës B, Alvaro Arbeloa.
Megjithatë, sipas mediave sportive, rezultatet dhe menaxhimi i skuadrës nuk kanë qenë në nivelin e pritshëm, duke shtyrë drejtuesit madrilenë të vlerësojnë alternativa të tjera për drejtimin teknik.
Alegri, një emër i vjetër në planet e Perez
Masimiliano Alegri nuk është një emër i ri në planet e presidentit Florentino Perez. Në vitin 2019, pas përfundimit të ciklit të tij të suksesshëm me Juventusin, drejtuesi i Realit të Madridit kishte tentuar ta sillte trajnerin italian në “Santiago Bernabeu”.
Një tjetër përpjekje u raportua edhe në vitin 2021. Sipas mediave italiane, në atë periudhë ishte arritur madje edhe një marrëveshje paraprake për pagën dhe kohëzgjatjen e kontratës, por Andrea Anjeli e bindi Allegrin të rikthehej në pankinën e Juventusit.
E ardhmja mbetet e paqartë
Tashmë, sipas të njëjtave burime, Perez mund të tentojë për herë të tretë afrimin e trajnerit italian. Megjithatë, një skenar i tillë mbetet hipotetik, pasi Alegri aktualisht ka një pozicion të konsoliduar në Milano dhe gëzon mbështetje brenda klubit.
Për momentin nuk ka konfirmime zyrtare nga asnjëra palë, ndërsa zhvillimet në javët e ardhshme mund të qartësojnë më shumë situatën rreth të ardhmes së trajnerit italian.
Lini një Përgjigje