
Makthi vazhdon, nata është gjithnjë e më e errët për Liverpulin, që po përshkon një tunel të gjatë dhe nuk po mund të shohë dritë në fund të të cilit. Pas humbjes me PSV Eindhoven është krijuar një situatë që sipas medias britanike rrit mundësitë e shkarkimit të trajnerit Arne Slot.
Një ditë pas kësaj disfate në “Anfield Road” dhe fërshëllimave të tifozëve, “The Times” publikon një artikull që duket si një vendim dënimi për trajnerin holandez: ‘Rënia e Liverpuliit nuk ka ndërmend të ndalet dhe Slot nuk ka përgjigje’.
Ajo e pësuar ndaj PSV Eindhoven është humbja e 9 në 12 ndeshjet e fundit të Liverpulit që ka regjistruar ecurinë më negative që nga 1954. Edhe ‘The Guardian’ i përqendron kritikat te Slot duke folur për një ‘Liverpul katastrofik që u shkatërrua nga PSV’. Ndërsa për ‘Daily Telegraph’ disfata e radhës është e destinuar të sjellë pasoja në drejtimin teknik te “The Reds”: ‘Pas serisë më negative në 72 vitet e fundit, Liverpuli përballet me të pamendueshmen’.
E pamendueshmja është shkarkimi i një trajneri që vetëm 5 muaj më parë u shpall kampion i Anglisë në sezonin e tij të parë në Premier Ligë. ‘I destinuar për të paguar për rrethin vicioz ku ka përfunduar’ shkruan ‘Daily Mail’ në artikullin me titull: ‘Liverpuli është një katastrofë, një katastrofë e vërtetë’ duke komentuar se Mohamed Salah me shokë janë bërë barcaleta e Evropës dhe se ka ardhur momenti për të shkarkuar Slot’. ‘Kod i kuq’ ishte titulli i “The Sun” që sjell edhe notat e legjendës së “The Reds”, Stiven Xherrard që e ngeli në klasë ish-skuadrën e tij.
Lini një Përgjigje