
Faza e Ligës së Kampioneve po hyn në momentin vendimtar, me vetëm tri ndeshje të mbetura. Superkompjuteri i “Opta”-s ka përditësuar parashikimet për 8 vendet që vlejnë direkt 1/8-at finale. Sipas modelit, Arsenali pritet ta mbyllë i pari këtë fazë falë konsolidimit nën drejtimin e Artetës. Pas ‘topçinjve’ vjen Bajerni i Mynihut, ndërsa PSG-ja e Luis Enrikes renditet i treti.
Lajmi i madh? Reali ngjitet në vendin e katërt. Fitorja ndaj Olimpiakosit ka rritur besimin e algoritmit për skuadrën e Çabi Alonsos. Më poshtë renditen Inter (5), Mançester Siti (6), Çelsi dhe Borusia e Dortmundit, që mbyllin ‘top 8’.
Atletiko e Madridit, megjithë fitoren ndaj Interit, mbetet në vendin e 10 dhe duhet të ruajë nivelin e sfidës së fundit për të hyrë në zonën elitare. Nota më negative vjen për Barcelonën, që bie në vendin e 12 pas humbjes ndaj Çelsit.

Lini një Përgjigje