
Odise Roshi po vazhdon të konfirmohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm të Keçiorengyçy në kategorinë e dytë të futbollit turk. Ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare është duke kaluar një sezon pozitiv, duke ndihmuar skuadrën në objektivin për ngjitjen në Superligë.
Në ndeshjen e sotme ndaj Venspor, Roshi la sërish gjurmë, duke realizuar një gol dhe duke çuar në shtatë numrin e realizimeve personale në këtë edicion. Përveç golave, ai ka kontribuar edhe me pesë asiste, duke qenë një element kyç në repartin ofensiv.
Goli i tij erdhi në minutën e 76-të, kur nisi një kundërsulm të shpejtë dhe e finalizoi me saktësi, duke dyfishuar shifrat për skuadrën e tij. Ky realizim rezultoi vendimtar për ecurinë e takimit dhe për pozitat e ekipit në renditje.
Pas kësaj fitoreje, Keçiorengyçy ndodhet vetëm një pikë larg zonës “play-off”, duke mbajtur gjallë shpresat për ngjitjen në elitën e futbollit turk.
Lini një Përgjigje