
Reali i Madridit ka fituar 3-2 ndaj Leganeses në “Santiago Bernabeu”, ndeshjen e vlefshme për javën e 29 në La Liga. Një fitore me shumë vuajtje për madrilenët, pavarësisht se ishin ata që kaluan të parët në avantazh.
Pas një topi të bukur të marrë nga Bellingham, Arda Gyler u pengua brenda zonës, arbitri akordoi penallti, në minutën e 32. Kilian Mbape e ekzekutoi në mënyrë perfekte “panenkan” dhe kaloi Realin në avantazh, por festa e madrilenëve zgjati shumë pak, pasi miqtë barazuan për 1 minutë shifrat.
Pas një kundërsulmi të shpejtë, Leganese barazoi shifrat me Diego Garsia. Miqtë nuk u mjaftuan vetëm me barazimin, në minutën e 40 gjetën dhe golin e avantazhit me Dani Raba. Pjesa e parë u mbyll në avantazh 1-2 për Leganesen.
Madrilenët e nisën direkt në sulm pjesën e dytë dhe nuk vonoi goli i barazimit. Pas një aksioni të gjatë dhe dy tentativave të dështuara, Bellingam u gjend në kohën dhe vendin e duhur, anglezi dërgoi topin në rrjetë duke barazuar shifrat.
Në minutën e 75 ishte Kilian Mbape që realizoi golin e tretë dhe të avantazhit pas ekzekutimit mjeshtëror të goditjës së dënimit. Një ndeshje e shkëlqyer për francezin sot. Pas kësaj fitoreje, Reali barazon Barcelonën në krye me 63 pikë, por katalanasit luajnë nesër ndaj Xhironës.
Lini një Përgjigje