
Vllaznia-Partizani uli siparin e javës së 10 të Abissnet Superiore. Supersfida e luajtur në “Loro Boriçi” është mbyllur me barazimin dramtik të Partizanit me rezultatin 2-2.
Të kuqtë kaluan të parët në avantazh në minutën e 15 të takimit. Pas një goditje nga këndi, Preka gjuajti dhe goditi shtyllën, Mba i vetëm para portës shtyu topin e kthyer në rrjetë mes protestave të kuqebluve që kërkuan faull ndaj portierit. VAR-it iu deshën dy minuta për të verifikuar të gjitha situatat gjatë aksionit dhe për ta cilësuar si gol të rregullt.
Në minutën e 42, vendasit rikthyen baraspeshën. Pas një goditje dënimi nga Kahrimanoviç, Stojanoviç me kokë gjeti rrjetën.
9 minuta më vonë, ekipi i drejtuar nga Tomas Bërdariç gjeti edhe golin që i dha 3 pikët kuqebluve. Mala mori topin para zonës dhe lëshoi një gjuajtje të pakapshme për portierin Qirko.
Kur mendohej se shkodranët do të fusnin në “kasafortë” 3 pikët, Partizani gjeti golin e barazimit. Në minutën e 90+2, Taipi harkoi në mënyrë mjeshtërore në qendër, aty ku Mba me kokë mposhti portierin Qarri.
Me këtë barazim, Vllaznia mban vendin e 4 me 15 pikë, po aq sa Elbasani, ndërsa Partizani ruan i vetëm kreun e klasifikimit me 17 pikë.
Lini një Përgjigje