TAGS-AT E JAVËS

Sport 3 Maj 2023, 22:05

Operacioni “fshesa” te Çelsi, shefat e akademisë kërcënojnë me largim nga Blutë e Londrës

Shkruar nga Pamfleti

Operacioni “fshesa” te Çelsi, shefat e akademisë

Shumë prej pjesëtareve të stafit të akademisë së Çelsit mund të dorëhiqen nëse klubi shet disa nga yjet e rritur nga ata në merkaton e verës, siç është Mejzon Maunt. Blutë i pret një spastrim rrënjësor, ndërsa pronari Tod Bohli do të shesë një pjesë të mirë të lojtarëve, sepse e ka mbingarkuar organikën me mbi 600 milionë paund të shpenzuara në merkato.

Një numër i konsiderueshëm lojtarësh pritet që të largohen pas uljes në stol të trajnerit të ri, Mauricio Poçetino. “The Times” raporton se një numër yjesh, të cilët janë produkt i akademisë së klubit, mund të shiten, duke ngjallur zemërimin e trajnerëve të akademisë. Ata që kanë punuar shumë për të ushqyer talente si Maunt, Loftus-Çik, Çalobah, Odoi apo Broja, nuk do ta presin aspak mirë shitjen e mundshme të Mauntit. Mesfushori 24-vjeçar ka edhe një vit kontratë, por bisedimet për rinovimin kanë ngecur, duke ngjallur interesin e Liverpulit, Arsenalit dhe Njukasëllit.

Loftus-Çik mund të largohet gjithashtu, pasi nuk ka arritur të fitojë një vend titullari këtë sezon. Çalobah është rikthyer pas uljes së Lampardit në stol, por transferimi i Badiashilit në janar, do të bëjë që mbrojtësi të kërkojë më shumë garanci për të luajtur. Odoi mund të largohet gjithashtu, pasi nuk ka shkëlqyer gjatë huazimit te Leverkuseni.

Broja, i cili pritet të rikthehet në fushë vetëm sezonin e ri pas dëmtimit të rëndë që pësoi, është gjithashtu në listën e lojtarëve që mund të shiten në verë, ndërsa Çelsi do të kërkojë me siguri të transferojë një sulmues të ri në fund të këtij sezoni. Emri i Ris Xhejmsit është përfolur gjithashtu për një transferim te Reali. Por nuk janë vetëm lojtarët e akademisë që rrezikojnë “fshesën”, por edhe Pulisiç, Zijeh, Obamejang, Mendi, Kepa dhe Kovaçiç janë përfolur gjithashtu për një largim.

çelsi skuadra londineze

Lini një Përgjigje