
Këtë të martë, Çelsi zgjati formën e tyre të keqe, e cila tani shkon në nëntë ndeshje radhazi pa fitore. Blutë humbën derbin e Londrës 3-1 ndaj Arsenalit, në një paraqitje që Çesk Fabregas, ish-mesfushori i të dy klubeve, e konsideroi të dobët, madje duke përdorur një... krahasim të çuditshëm.
"Kur isha i vogël, kisha një trajner që kishte 11 ullinj. Ai i përdorte ato në një tryezë për taktikë. Kështu e shoh unë Çelsin. Ne pamë dy ekipe të ndryshme. Njëra shumë e organizuar dhe e stërvitur, dhe Çelsi, si 11 ullinj të vendosur për taktikë. Ndonjëherë nuk i besoj gabimet tekniko-taktike të asaj skuadre...”, ka nisur ai duke shpjeguar për ‘Sky Sports’.
Dhe Fabregas vazhdon: "Ne nuk jemi mësuar me diçka të tillë. Çelsi kishte (në fushë) një kampion bote, një finalist të Kupës së Botës, kapitenin e Brazilit... Është e vështirë ta shpjegosh dhe mua më vjen keq për Frenk Lampard. Unë mund ta kuptoj pozicionin e tij. Në ditët e sotme përgjegjësia është e trajnerit. Por nuk është ai që luan, lojtarët duhet të shfaqen”,- përfundoi ai.
Me këtë rezultat, Arsenali mban gjallë luftën për titullin e Premierligës, duke fituar epërsinë e kampionatit me dy pikë, me dy ndeshje më shumë se Mançester Siti. Nga ana tjetër, Çelsi është në vendin e 12 me 39 pikë, nëntë mbi vijën e zonës së kuqe.
Lini një Përgjigje