Trofeu mbetet në Paris, “ruleta ruse” i buzëqeshë parizienëve. Arsenali i “mallkuar” në Champions League
PSG-ja është fituesja e Champions League për sezonin 2025-2026, pas një finaleje emocionuese ndaj Arsenalit që u vendos vetëm nga goditjet e penalltive.
Skuadra londineze kaloi në avantazh që në minutën e pestë të takimit. Pas një aksioni të shpejtë nga krahu dhe një depërtimi drejt zonës, Kai Haverc finalizoi saktë, duke mposhtur portierin Matvej Safonov për rezultatin 0-1.
Një nga momentet më të diskutuara të pjesës së parë erdhi në minutën e 16-të, kur futbollistët e PSG-së kërkuan penallti për një prekje të dyshuar të topit me dorë nga Bukajo Saka brenda zonës. Megjithatë, arbitri vendosi të vazhdonte lojën, pa ndërhyrje nga VAR.
Arsenali e mbylli pjesën e parë në epërsi minimale, por PSG reagoi në pjesën e dytë. Në minutën e 62-të, një ndërhyrje e gabuar e Kristian Moskera ndaj Khviça Kvaratskhelia brenda zonës solli penallti për francezët, vendim që u konfirmua edhe pas verifikimit nga VAR.
Nga pika e bardhë, Osmane Dembele u tregua i saktë, duke barazuar shifrat në 1-1. PSG-ja ishte pranë përmbysjes në minutën e 77-të, por goditja e Kvaratskhelia u ndal nga shtylla.
Koha e rregullt u mbyll në barazim dhe finalja shkoi në shtesa. Edhe gjatë 30 minutave shtesë nuk munguan polemikat. Në minutën e 102-të, Arsenali pretendoi për penallti pas një kontakti mes Nunjo Mendes dhe Noni Madueke brenda zonës, por arbitri nuk akordoi asgjë.
Me rezultatin që mbeti i pandryshuar edhe pas 120 minutave lojë, fituesi i trofeut u përcaktua nga goditjet e penalltive. Aty, futbollistët e PSG-së u treguan më të saktë dhe më të qetë, duke siguruar triumfin e dytë radhazi europian dhe trofeun më prestigjioz për klube në kontinent.
Ndërkohë Arsenali mbetet "i mallkuar" në Champions League, pasi kjo është finalja e dytë europiane që londinezët humbasin. Një gjë e tillë ndodhi me "Topçinjtë" edhe në vitin 2006, kur në atë kohë Arsenali i drejtuar nga Arsen Venger u mposht nga Barcelona me shifrat 2-1.
Lini një Përgjigje