Çdo gjë nga e para! Skuadrat shkojnë drejt kohëve shtesë për të përcaktuar fituesin e Champions League
PSG-ja dhe Arsenali nuk arritën të nxirrnin fitues pas 90 minutave të kohës së rregullt në finalen e madhe të Champions League, që po zhvillohet në “Puskas Arena” të Budapestit. Sfida u mbyll në barazim 1-1, duke e çuar përballjen në kohën shtesë.
Arsenali gjeti avantazhin shumë shpejt, që në minutën e pestë të takimit. Kai Haverc përfitoi nga një aksion në krah, depërtoi drejt zonës dhe mposhti portierin Matvej Safonov me një goditje të saktë për rezultatin 0-1.
Një nga momentet më të diskutuara të pjesës së parë ndodhi në minutën e 16-të, kur lojtarët e PSG-së kërkuan penallti për një prekje të dyshuar të topit me dorë nga Bukajo Saka brenda zonës. Megjithatë, arbitri vendosi të vijonte lojën pa ndërhyrë.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të skuadrës londineze.
Pas rikthimit nga pushimi, PSG rriti presionin në kërkim të golit të barazimit. Në minutën e 55-të, Ashraf Hakimi provoi nga një goditje dënimi, por portieri David Raja reagoi me sukses.
Momenti vendimtar erdhi në minutën e 62-të, kur Kristian Moskera ndërhyri në mënyrë të parregullt ndaj Khviça Kvaratskhelias brenda zonës. Arbitri akordoi penallti, vendim që u konfirmua edhe pas verifikimit nga sistemi VAR.
Nga pika e bardhë, Osman Dembele u tregua i saktë dhe riktheu ekuilibrat në rezultat, duke shënuar për 1-1.
PSG-ja ishte pranë përmbysjes në minutën e 77-të, por tentativa e Kvaratskhelias u ndal nga shtylla. Ndërkohë, në minutën e 89-të, Vitinja humbi një mundësi të artë për t’i dhënë fitoren francezëve, pasi gjuajtja e tij përfundoi pak mbi traversë.
Me rezultatin e pandryshuar 1-1 pas 90 minutave, finalja do të vijojë me dy pjesë shtesë nga 15 minuta secila. Nëse barazimi mbetet në fuqi edhe pas kohës shtesë, fituesi i trofeut do të përcaktohet nga goditjet e penalltive.
Lini një Përgjigje